Vendosni fjalën kyçe....

Zuckerberg pas shkarkimit të mbi 11 mijë punonjësve nga ‘Meta’: Më vjen shumë keq, kam gabuar e mbaj përgjegjësi


Meta Platforms, pronari i rrjeteve të mediave sociale Facebook dhe Instagram, konfirmoi të mërkurën se më shumë se 11,000 punonjës të saj do pushohen nga puna për shkak të një rënieje të mprehtë të të ardhurave të kompanisë.

Në një deklaratë, themeluesi dhe CEO Mark Zuckerberg tha se këto janë ‘disa nga ndryshimet më të vështira’ në historinë e gjigantit të teknologjisë dhe shtoi se i vjen ‘veçanërisht keq për ata që janë prekur’.

“Kam vendosur të zvogëloj madhësinë e ekipit tonë me rreth 13% dhe të lë më shumë se 11,000 punonjësit tanë të talentuar të largohen.” – tha Zuckerberg.

Si shkaku kryesor i sfidave me të cilat po përballet kompania, ai përmendi gjykimin e tij të gabuar. Siç shpjegoi Zuckernerg, besimi i tij se e-commerce do vazhdonte të rritet pas pandemisë e shtyu atë të rriste ndjeshëm investimet. Sidoqoftë, ‘tregtia në internet u kthye në tendencat e mëparshme’.

Ai shtoi se ‘rënia makroekonomike’ dhe ‘rritja e konkurrencës’ nënkuptonin se Meta përfundoi duke fituar shumë më pak të ardhura nga sa priste.

“Kam gabuar dhe marr përgjegjësinë për këtë”, tha Zuckerberg.

Wall Street Journal më herët e quajti konkurrencën nga TikTok dhe investimet prej 15 miliardë dollarësh në platformën e realitetit virtual Horizon Worlds si ndër faktorët kryesorë që ndikuan negativisht te Meta.