Deputeti i PD-së Ervin Salianji është shfaqur me një abetare në dorë sot në Komisionin e Sigurisë. Ai tha se e kishte sjellë për t’ja dhënë drejtorit të AMP-së Ardi Veliut, në mënyrë që ai të mësonte shqipen.
Salianji ka kundërshtuar që procesi i Vettingut të Policisë t’i kalojë AMP-së, duke thënë se s’mund t’i jepet një njeriu pa shkollë.
Pjesë nga debati:
Ervin Salianji: Kemi kaluar këtu dhe e kemi kundërshtuar, ligjin për vettingun epunonjsve të policisë. Sot me shkresë zyrtare informacion se nga 11 mijë punonjës, ligji vettingut në 5 vite ka dështuar plotësisht duke kaluar në filtra as 100 punonjës të policisë. Ky ligj po vjen para zgjedhjeve që ju të kontrolloni policët para zgjedhjeve dhe ti vendosni nën presion dhe si ka mundësi që gjithë vettingu i policëve i lihet një drejtuesi që sot nuk është këtu, që fyen çdo punonjës police që investojnë në shkollim. Si hap i parë që duhet të bëjmë, duhet ta ndihmojmë atë të kalojë vettingun në klasë. Do i jap përfaqësuesve të ministrisë një abetare që të mësojë shkrim e këndim. Do ia jap që t’ia jepni drejtorit, Veliut të mësojë shkrim e lexim. Pasi të kalojë testin hajde diskutojmë. Nuk shkon të ketë kriminelë, që manipulojnë ngjarjet kriminalë. Nuk mund ta kalojmë ligjin që i jep një analfabeti funksional të kalojë nën vetting punonjësit e policisë së shtetit. Abetaren po e jap si kontribut që të mësojë shkrim e këndim. Ky fyen çdo njeri, çdo punonjës të policisë së shtetit. Prit pra se nuk e kam përfunduar. Pse shqetësoheni ju? Ore ju shqetësoheni nga librat.
Nasip Naço: Depresioni juaj na shqetëson
Salianji: Po jo mo jo se nuk jemi ne fare në depresion. Në depresion janë njerëz që nuk bëjnë luftën ndaj krimit, nuk bëjnë detyrën që u ka ngarkuar ligjin. Depresion është shoqëria shqiptare që për shkak të vullnetit politik të PS vendos në krye njerëz analfabet. Po pse nuk ka PS djem edhe vajza të shkolluara.
Naço: Ky është depresion, jeni të dëshpëruar
Salianji: Na lini ta vlerësojnë qytetarët
Naço: Nuk ua zgjidhim dot problemet e brendshme
Salianji: Në vend të largoni njerëzit që janë të përfshirë… (i fiket mikrofoni)
Në mbledhjen e sotme u miratuan ndryshimet ligjore për t’i kaluar procesin e vettingut të policisë, AMP-së.