Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka dorëzuar tek shtetet anëtarë draftin e ri të tekstit për liberalizimin e vizave për Kosovën por datën e zbatimit e ka lëvizur për një muaj, përkatësisht nga nëntori në dhjetor të vitit të ardhshëm, shkruan Radio Televizioni Publik i Kosovës.
“Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet vetëm nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se më 1 dhjetor 2023”, thuhet në draftin më të ri.
Me këtë edhe ka nisur procedura e heshtur e cila nënkupton procedurë të thjeshtësuar të miratimit ku një afat i caktuar kohor për reagim të mundshëm të shteteve anëtare.
Me këtë rast, nëse deri të mërkurën më 16 nëntor në orën 2, nuk reagon, përkatësisht kundërshton asnjë shtet anëtarë i Bashkimit Evropian, atëherë konsiderohet se teksti në fjalë është miratuar dhe dosja e vizave kalon në nivel politik.
Shtyrja për një muaj nga burimet diplomatike shpjegohet me faktin se 1 nëntori në agjendën e BE-së akoma qëndron si afat i mundshëm kur ETIAS duhet të jetë plotësisht funksional dhe me këtë rast edhe hyn në fuqi liberalizimi i vizave.
Në rast të shtyrjes së sërish të ETIAS-it, atëherë lejohet që kosovarët të lëvizin lirshëm më së vonë më 1 dhjetor në mënyrë që çështjet eventuale teknike në nivel evropian të mos cenojnë lëvizjen e lirë për shtetasit Kosovar.
Nëse teksti miratohet më 16 nëntor, i njëjti kalon fillimisht tek ambasadorët e shteteve anëtare e më pas nisë i ashtuquajturi trialog, ku përfshihen të gjitha institucionet evropiane, Komisioni Evropian, Parlamenti evropian si dhe Këshilli i ministrave të BE-së.
Parlamenti Evropian dhe ministrat duhet sërish të votojnë për liberalizim.
Parlamenti Evropian me vite ka qenë në favor të liberalizimit, ndërsa në Këshill të BE-së votimi bëhet me shumicë të kualifikuar që nënkupton votën e 55 për qind të shteteve e të cilat reflektojnë 66 për qind të popullatës së përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Presidenca çeke Akoma është optimiste se të gjitha procedurat legjislative mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti.