Një operacion i rrallë për nga natyra është kryer vetëm pak ditë më parë, tek një fëmijë 10 muajsh, në Shqipëri.
Bëhet fjalë për korrigjimin e një keqformimi të kokës, në lindje, ndërhyrje e cila kryhet për herë të parë në spitalet tona.
Pas diagnostikimit me një sëmundje e cila sjell shtrëngim të trurit dhe keqrritjen e tij, si pasojë e ngjitjes së kockave të kokës, mjekët shqiptarë kanë arritur të kryejnë rimodelimin e kokës së vogëlushit dhe estetikisht t’i dhurojnë atij një formim normal të fytyrës.
Ekipi i mjekëve nën drejtimin e neurokirurg Prof. Asoc. Artur Xhumari, kirurgëve Maxilofacial Dr.Arlind Myftari, dhe Dr. Mariol Sako, arritën të realizonin me sukses operacionin e vështirë e të pa kryer më parë në vendin tonë.
Ky operacion është i rrallë edhe në qendrat e specializuara botërore, sepse zakonisht këto probleme trajtohen, kur pacienti është foshnje.
Sipas Neurokirurgut Prof. Asoc. Artur Xhumari, përpos sfidës për t’u përballur më këtë rast të vështirë, ishte edhe bërja bashkë e mjekëve të specializuar për të realizuar me sukses dhe durim këtë ndërhyrje e cila zgjati mbi 7 orë dhe bëri të mundur t’i dhurojë vogëlushit një të ardhme të shëndetshme.