Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogia Lili Sula: Dita t`i themi STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve dhe shoqërisë nga Rama


Pedagogia Lili Sula, e cila është njëkohësisht drejtuese e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike ka folur në protestën para kryeministrinë në lidhje me sistemin arsimor në vendin tonë.

Sipas saj sistemi arsimor shqiptar ka prekur fundin.

Sula tha se ka ardhur koha që t’i thuhet “Stop” nëpërkëmbjes së shoqërisë dhe shqiptarëve nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama.

“Jam pedagoge prej shumë vitesh e shoh me keqardhje se si sistemi arsimor në vendin tonë prej kohësh ka prekur fundin.

Buxheti aktual i arsimit është 3.1 % i PBB, shumë larg buxhetit 5 % që është premtuar e ndërsa  vitet shkojnë, qeveria ecën mbrapsht; pasi mbështetja financiare që qeveria i kushton arsimit është më e ulët se buxheti  3.4%, i 10-12 viteve më parë.

Edhe arsimi i lartë është në rënie të lirë e Ministria e Errësimit, përveç fotove në rrjete sociale, as që tregon vëmendje. Ligji i Arsimit të lartë i miratuar me 2015 me shumicë kartonësh – edhe pse u kundërshtua nga të gjithë faktorët e interesit brenda e jashtë vendit—çdo ditë e më shumë tregon së është i dështuar në realitetin tonë universitar.  Po jap vetëm një shembull:

Ligji parashikon kredi për studentët, por universitetet nuk zotërojnë pronësi e siç dihet trualli e Muzeut të shkencave të natyrës në Rrugën e Kavajës- një laborator i gjallë i mësimdhënies e kërkimit shkencor u shtetëzua nga qeveria (si të ishim më 1946) e tashmë një goxha pallat është drejt përfundimit. Edhe Kopshti botanik – po kështu u shtetëzua.

Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Latë, që do të garantonte kreditimit- një strukturë tipike burokratike – nuk funksionon edhe pse një staf i saj paguhet nga taksat tona.

Por çfarë kërkoi Lëvizja universitare?

Lëvizja universitare – stafet ndihmësakademike, administrative e studentore, pa mbështetjen e të cilëve nuk ka kuptim puna e pedagogëve – kërkoi rritjen e buxhetit për kërkimin shkencor  në 0.3 % të PBB, kur aktualisht është 10 herë më i ulët dhe shumë herë më i ulët se vendet e rajonit.

Lëvizja universitare kërkoi t`i rikthehej e drejta e mohuar e indeksimit të pagës – e cila do të rriste mbi 40 % pagat e stafit universitar; por që në shkelje të hapur të ligjit nuk është kryer prej shumë vitesh.  

Dhe besoj se cilido e di mirë, se ka një paradoks të thellë mes trajtimit financiar të kërkuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku paga mesatare shkon 3500 euro dhe pedagogëve të tyre – prej të cilëve diplomohen – me pagë mesatare 2 herë më të ulët se kolegët në Kosovë.

Lëvizja universitare kërkoi dhe kërkon t`i rikthehet autonomia dhe liria akademike universiteteve, që përbëjnë themelet e tyre, kërkoi vëmendje për degët e studimeve albanologjike, që shënojnë identitetin tonë kombëtar, të cilat nga viti në vit po pësojnë rënie të ndjeshme të numrit të studentëve, ndërkohë që një pjesë e tyre po i venë kyçin portave të dijes, thënë ndryshe kërkoi që qeveria të kthente sytë nga bota universitare e ta trajtonte me dinjitet ashtu siç i takon elitës së shoqërisë, por u ndesh me presione, intimidime e shantazhe nga më të shëmtuarat e me një ligjërim kryeministror që s`do t`i lejohej as një personi me arsim të detyruar.

Ndaj është dita t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së qytetarëve, punonjësve, stafeve universitare e studentëve, t`i bëjmë STOP nëpërkëmbjes së mbarë shoqërisë sonë nga kjo qeveri dhe kreu i saj, z. Rama.”– tha Sula.