Vendosni fjalën kyçe....

U fyen dhe etiketuan si kriminelë nga Ministrja Britanike, emigrantët tubim në Londër (Foto+Video)


Pasi u vunë në qendër të etiketimeve fyese duke u quajtur edhe kriminelë nga politika dhe media në Britani të Madhe, emigrantët shqiptarë zhvilluan një protestë në “Westminster Bridge” në Londër, me sloganin “Kundër poshtërimit të shqiptarëve në Britani”.

Të veshur kuqezi, me pankarta në duar dhe muzikë patriotike ata kërkuan dorëheqjen e ministres britanike duke theksuar se nuk janë kriminelë.

Mediat angleze prej ditësh mbajnë në faqet e para çështjen e emigrantëve shqiptarë, ku thonë se rritja e numrit të të rinjve që mbërrijnë në Angli lidhet drejtpërdrejt me gjendjen e vështirë ku ndodhet Shqipëria për shkak të keqqeverisjes dhe nivelit të lartë të korrupsionit.

Parullat e sotme janë nga më të larmishmet dhe ironizuese me të gjithë etiketimet e bëra si nga ministrja dhe nga mediat britanike.

“Ne jemi shqiptarë, jo kriminelë”

“Në punojmë, paguajmë taksa, ne jemi shqiptarë”

“Duam që qeveria britanike të na kërkojë falje”

“Profesioni im, marangoz. Në kohë të lirë jam “kriminel”-ishin disa nga parrullat.

 

Protestuesit nëpërmjet parrullave kanë kërkuar që qeveria të kërkojë ndjesë ndaj tyre. 

Braverman zemëroi shumë shqiptarë duke bërë pretendime në parlamentin britanik . “Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik në kontrollin. sovranitetin tonë”, u tha ajo deputetëve.

Shumica e emigranteve shqiptare, sipas autoriteteve britanike, janë meshkuj dhe në gjendje të mirë fizike. Por ata nuk janë të mirëpritur në Britaninë e Madhe dhe kërkesat e tyre për azil cilësohen si të pajustifikueshme. Shumica e shqiptarëve që largohen drejt Britanisë nisen nga Tirana ose Prishtina për të shkuar në Francë nga ku nisen me gomone nga Kanali i La Manshit dhe më pas zbarkojnë në Durkin.

Trafiku sipas mediave britanike zhvillohet nga kontrabandistët kurdë dhe kalimi kushton deri në 12 mijë paund.