Kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë në protestën e sotme, që të ngrihen kundër diktaturës siç bënë 30 vite më parë, pasi sipas tij Kryeministri Edi Rama ka rikthyer monizmin në vendin tonë. Ai e paralajmëroi Ramën se vendi i tij do të jetë në burg.
“Ky armik i lirisë, i votës suaj, nuk njeh ligj, kushtetutë, moral, asgjë. Është vërsulur me makinerinë e narkoshtetit që të rrëmbeje shqiptarëve votën, dinjitetin. Rama është armiku më i egerr i lirive tona. Ai që të merr shpresën, të ka marrë dritën hyjnore drejt së ardhmes. Ai që të merr shpresën të ka marrë besimin, forcën e pashtreshtershme. Ai që të merr votën, të ka marrë dinjitetin. Njeriu që nuk voton i lirë, është i pashpresë, që humb besimin, që vendi nuk i duket më vendi i tij. Ai mendon se toka e tij, e të parëve, e prindërve të tij, s’do jetë më djepi i fëmijëve të tij, kopshti ku do të lulëzojnë ëndrrat e fëmijëve të tij. Kjo është Shqipëria sot, gjendja e saj. Ky është njëri aspekt.
Edi Rama me votën, me rrëmbimin e saj ka vendosur monizmin, ka rikthyer monizmin e plotë. Ndaj ju ftoj nga ky shesh, që të brohorasim; vdekje, vdekje monizmit. Edi Rama, monizmin tënd do ta arkivojmë në shtëpinë e turpit të historisë. Edi Rama, monizmin tënd do ta arkivojmë së bashku me ty, por ti ashtu siç ushton ky shtet, e ke vendin në burg dhe në regjim special. Atje do të çojmë!”– tha Berisha.
Ish-kryeministri Berisha përmendi shkrimet në mediet britanike për emigrimin masiv të shqiptarëve dhe iu drejtua Ramës se për të do vendosë “gjykatësi sovran”.
“Këto ditë, mediat e Britanisë së Madhe, mediat e Europës shkruajnë se shqiptarët po ikin nga varfëria.
Kjo është aparenca. Sot shqiptarët janë njerëzit më të vjedhur të planetit.
Nuk ka asnjë vend ku ka njerëz të vjedhur gjer në palcë si në Shqipëri nga qeveritarë të pangopur, që nuk kanë asnjë normë morale, që nuk kanë më ligje, nuk kanë Kushtetutë.
Ne jemi sot në fillim të betejës sonë të madhe.
Edi Rama është shndërruar në një ordiner, që kalon nga mikrofoni në mikrofon me gjuhën më të ulët. Keni konstatuar, keni parë, se si në parlament ai flet dhe bën të skuqet, me fjalorin e tij, çdo fëmijë, çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë, çdo prind kudo që është.
Tani, unë do i them këtu para jush: për atë gjuhë të jesh i sigurt se mund të përgjigjemi ty me të gjitha mënyrat që meriton, por të komunikoj sonte këtu vendimin e marrë.
Atje së shpejti do vijë gjykatësi sovran, do vijnë këta burra dhe gra.”– tha Berisha.