Vendosni fjalën kyçe....

FBI pranon se testoi programin e ndaluar të spiunimit – New York Times


Drejtori i FBI-së Christopher Wray

FBI bleu një licencë për programin e ndaluar izraelit të spounimit Pegasus, pranoi drejtori i agjencisë Christopher Wray në një seancë të mbyllur të Kongresit në dhjetor, sipas një raporti të New York Times të botuar të shtunën. Megjithatë, ata supozohet se nuk e përdorën atë mes një stuhie publiciteti negativ lidhur me të.

Edhe pse Wray fillimisht pretendoi se programi i fuqishëm që përdoret për hakimin e telefonave ishte blerë në vitin 2018 ’për të qenë në gjendje të kuptonte se si grupet kriminale mund ta përdornin atë’, dokumentet e brendshme të agjencisë dhe të dhënat gjyqësore të parë nga Times zbuluan se disa agjentë kishin planifikuar ta përdornin atë në hetime penale dhe se ata kishin bërë plane të hollësishme se si të bindnin udhëheqjen e byrosë për të miratuar përdorimin.

Ata nuk e zbatuan atë vetëm për shkak të stuhisë në rritje lidhur me Pegasus, duke qenë se asokohe u zbulua abuzimi i programit të spiunimit nga qeveritë e tjera për të spiunuar qytetarët e tyre, gazetarët dhe disidentët politikë.

Dokumentet e gjykatës sugjerojnë gjithashtu se FBI nuk e ka përjashtuar plotësisht përdorimin e Pegasus në të ardhmen ose përdorimin e një mjeti të ngjashëm hakerimi. Pegasus lejon përdoruesin të hyjë në telefonin e objektivit nga largësia, duke u futur te mesazhet, kontaktet, mikrofonin e kamerën pa dijeninë e tyre.

Departamenti Amerikan i Tregtisë futi në listën e zezë zhvilluesin e Pegasus, NSO Group, vitin e kaluar, duke i ndaluar kompanitë amerikane të bëjnë biznes me të. Ndërkohë që NSO protestoi e tha se teknologjia e saj nuk mund të përdoret për të hakeruar numrat e telefonit amerikanë, ajo prodhon një mjet të ngjashëm të quajtur Phantom, që është krijuar për të bërë pikërisht këtë.

FBI testoi Phantom si dhe Pegasus përpara se të hidhte poshtë përdorimin e tyre në korrik 2021, sipas Times. Kongresi thuhet se po harton një projektligj për të ndaluar agjencitë qeveritare të përdorin mjete të huaja spiunimi si Pegasus dhe Phantom.