Udhëheqësi i opozitës izraelite Benjamin Netanyahu u ngarkua zyrtarisht të dielën për të formuar qeverinë e ardhshme, sipas mediave vendase.
Netanyahu mori mandatin për të formuar qeverinë pas takimit me presidentin Isaac Herzog, i cili përfundoi tre ditë këshillime me liderët e partive politike, raportoi Haaretz.
Netanyahu, kreu i Partisë Likud të krahut të djathtë, tha se ai do të jetë një kryeministër për ‘të gjithë qytetarët e Izraelit, pa përjashtim’.
Ai tha se do të bëjë ‘gjithçka për të siguruar një qeveri të qëndrueshme, të suksesshme e të përgjegjshme’, duke shtuar se ai synon ‘të jetë kryeministër i të gjithëve’.
Herzog, nga ana e tij, i kujtoi Netanyahut se nuk ka vend për gabime kritike dhe se ‘çdo qeveri duhet të sillet me kujdes të jashtëzakonshëm për çështje me rëndësi fatale për ekzistencën tonë’.
Netanyahu, një ish-kryeministër, dhe blloku i tij i krahut të djathtë fituan 64 vende në Knesset-in me 120 vende (parlamenti i Izraelit), duke i siguruar atij një shumicë të plotë për të formuar qeverinë.
Netanyahu ka 28 ditë për të formuar qeverinë. Në rast se ai nuk arrin ta bëjë këtë, ai mund të marrë 14 ditë shtesë për të përfunduar detyrën e formimit të qeverisë.