Vendosni fjalën kyçe....

Qyteti amerikan vendos kryebashkiakun e ri me hedhje monedhe


Pasi zgjedhjet për kryetar bashkie në një qytet amerikan në shtetin e Kentakit përfunduan në barazim, zyrtarët vendosën në mënyrë të pazakontë për të zgjedhur kryetarin e ri, me hedhje monedhe.

Mason Taylor dhe kryebashkiaku në fuqi Greg McElfresh fituan secili nga 55 vota në zgjedhjet e së martës për të zgjedhur një kryebashkiak të ri të qytetit të Butler në Kentaki, raportoi rrjeti amerikan i transmetimit ABC News.

Pasi asgjë nuk u përcaktua në votim, zyrtarët përdorën hedhjen e monedhës për të përcaktuar se kush do drejtojë qytetin me rreth 600 banorë.

Taylor, 25 vjeç, i cili është zjarrfikës, u bë kryebashkiaku i ardhshëm i Butler pasi fitoi hedhjen e monedhës më 10 nëntor.

“Monedha u rrotullua rreth tre herë e më pas u rrëzua duke më dhënë fitoren.” – u citua Taylor nga WCPO, një stacion televiziv lokal në SHBA, i lidhur me ABC.