Stambolli u trondit pasditen e sotme nga një shpërthim i fuqishëm që ka lënë deri tani 6 të vdekur e 81 të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16 e 20 në rrugën historike Istiklal në ‘Sheshin Beyoglu’ ndërsa deri tani dihet pak mbi motivet e autorët e sulmit.
Në pamjet e pakta video që kanë mundur të shpërndahen pas sulmit, duken trupa të shpërndarë gjithandej në rrugë ndërsa dyshimet e para të autoriteteve janë se bëhet fjalë për një sulm terrorist.
Në njërën nga pamjet video duket një çantë në një pjesë të rrugës, që dyshohet se ka pasur brenda eksplozivin që shkaktoi shpërthimin e fuqishëm. Prokuroria ka nisur menjëherë hetimet dhe sipas mediave turke, për të hetuar ngjarjen janë caktuar pesë prokurorë.
Numri i viktimave është konfirmuar zyrtarisht tani për tani ndërsa gjendja e të plagosurve nuk dihet ende.
Presidenti Erdogan, u shfaq në një konferencë shtypi pak para nisjes për në Samitin e G20 në Indonezi duke dënuar sulmin.
Ai dënoi sulmin duke thënë se dyshohet për akt terrorist që nuk do e gjunjëzojë vendin dhe se autorët do dalin para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Nuk mund ta themi dot me siguri të plotë se është sulm terrorist megjithatë sipas të dhënave paraprake dyshohet për një akt të tillë. Të gjithë përgjegjësit do dalin drejtësisë.” – tha ai teksa konfirmoi se delegacioni turk do udhëtojë drejt Samitit G20 në Indonezi.