Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi me 6 viktima në Stamboll, ministri turk zbulon hollësitë: Një grua shpërtheu bombën


Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdag, ka zbuluar hollësi mbi sulmin me bombë në sheshin Taksim të Stambollit, ku 6 persona humbën jetën dhe 81 të tjerë u plagosën.

Siç shpjegoi ai, gruaja që dyshohet se shpërtheu bombën u ul në një stol, priti 45 minuta para se të ngrihej dhe më pas bomba shpërtheu.

“Një grua ulet në një stol për rreth 45 minuta dhe shpërthimi ndodh menjëherë pasi ajo ngrihet.” – tha ministri turk i Drejtësisë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos mbështeten në lajme provokuese dhe të pavërteta.

“Shumë lajme provokuese po qarkullojnë. Është e dobishme që qytetarët të mos bazohen në lajme të pavërteta që synojnë të mashtrojnë. Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka nisur një hetim. Autorët e këtij incidenti sigurisht do mbajnë përgjegjësi. Ky është një sulm kundër besueshmërisë, paqes dhe unitetit të Turqisë.” – tha ai.

Ai tha më tej se zona e zgjedhur për shpëthimin është bërë me qëllim për të dërguar mesazh të qartë ndërsa akuzoi Francën, SHBA-në e Gjermaninë se mbështesin terroristët e Partisë Komuniste të Kurdistanit.

“Kjo është një zonë e përzgjedhur posaçërisht. Ka të huaj e turistë. Autorët mund të kenë dashur t’i dërgojnë një mesazh botës. Turqia është një shtet i fuqishëm që vazhdon luftën kundër terrorizmit jashtë kufijve të saj. Franca, SHBA-ja e Gjermania mbështesin terroristët e PKK/YPG-së. Ata u japin armë. Turqia nuk po lufton vetëm kundër PKK-së, FETO-s dhe DAESH-it, por edhe kundër vendeve që i kanë nisur kundër nesh.” – shtoi ai.

Faqja turke ODA TV raportoi se një grua u pa duke vendosur një pako në rrugën Istiklal. Video tregon momentin kur shpërthimi goditi qendrën e bulevardit, duke dërguar mbeturina në ajër dhe duke lënë njerëzit të shtrirë në tokë. Në të shihet një grua duke lënë një çantë pranë këmbësorëve, ndërsa pak sekonda më pas ka ndodhur një shpërthim.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin, por Stambolli dhe qytete të tjera turke kanë qenë në shënjestër në të kaluarën nga separatistët kurdë, militantët e ISIS-it e organizata të tjera.