Shoku i Lear Kurtit, i cili ka qenë i pranishëm në çastin kur 32-vjeçari është shoqëruar nga policia, ka denoncuar këtë të fundit se po e përndjek.
Zyhdi Spahiu ishte personi i fundit që ka parë Kurtin dhe pas vdekjes së të riut, akuzoi efektivët që shoqëruan se e dhunuan në mënyrë barbare duke i bërë përgjegjës për vdekjen e tij.
36-vjeçari dha një intervistë asokohe për ngjarjen e ndodhur, ndërsa së fundmi ka dhënë një tjetër intervistë për emisionin Piranjat në Abc News, duke thënë se po përndiqet nga policia dhe se po mbahet gjatë gjithë kohës në vëzhgim.
Pas intervistës ai u thirr në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, ku u mbajt për rreth 3 orë ndërsa interesimit të gazetares së ‘Piranjave’ policia iu përgjigj duke thënë se i riu ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit.
Më vonë më 2 nëntor, Spahiu është shoqëruar pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Ai është ndaluar nga policia vetëm pak metra pasi kishte komunikuar me ta për të lëvizur makinën, pasi siç tregon, kishte marrë diçka për të ngrënë në një “fast food” te rruga e Durrësit.
“Këta me doemos duan diçka që të kapen me mua duan të dinë ca bëj, ca ha, ca pi, ku fle, çdo gjë. Mundohen të më mbyllin gojën, por mua nuk do të ma mbyllin gojën. Unë do t’i shkoj deri në fund kësaj.” – thotë ai.
Sipas Spahiut, në momentin që është shoqëruar, i ka shkuar i njëjti person që ka qenë natën kur Leari është shoqëruar dhe iu drejtua atij me duke thënë ‘pse po e lini këtë të flasë’.
36-vjeçari ka thënë se natën që është shoqëruar Leari, ai ka qenë i dehur dhe ka kundërshtuar forcat e rendit. Megjithatë ai është lënë i lirë sapo Leari ka ndërruar jetë.
“Ligji është i barabartë për të gjithë. Ke bërë një krim do marrësh dënimin, siç mbaj unë përgjegëjsi. Kam bërë një krim, kam vuajtur dënimin. Shpresoj që ata të marrin dënimin e duhur sepse vëllanë tim, Learin nuk e kthejmë dot më. Shqiptarët janë të gjithë me mua sepse e dinë se policia jonë është shumë harbute. Nuk ka mënyrë komunikimi fare. Në momentin që do ndalohet çdo qytetar do trembet. Sikur jemi në luftë, ne s’jemi në luftë. Detyra e këtyre është ta mbrojnë qytetarin. Këto kot lodhen, unë gojën nuk do e mbyll. Edhe mbas 10 vjetësh unë këtë version do kem. Ata të tre, ata maskarenj do të marrin dënimin e merituar. Vëllai im ka ikur në tokë, nuk kisha mundësi ta shpëtoja, por të paktën drejtësia të vihet në vend. Nëse duam të bëjmë drejtësi. Nëse s’duam të bëjmë drejtësi, me keqardhje e them që nesër mund të gjendem edhe unë i vdekur.” – përfundon 36-vjeçari.
32-vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit pasi u shoqërua në komisariat. Një ditë më pas Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në një njoftim zyrtar tha se i riu kishte vdekur në spital ku ishte shoqëruar në gjendje të rëndë, ndërsa spitali i Traumës e hodhi poshtë këtë version duke pretenduar se i riu kishte shkuar pa shenja jete aty.
Më pas AMP-ja e prokuroria dolën me një deklaratë duke thënë se të riut i ishte gjetur një qese 5cm me 5 cm e çarë në stomak, ku ishin gjetur shenja lënde narkotike.
E ëma e Kurtit pohoi pas këqyrjes së trupit se kishte parë shenja dhune të tmerrshme ndërsa shoku i tij Spahiu dëshmoi se Kurti ishte dhunuar bararisht nga tre efektivë policie që e shoqëruan. Prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.