Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Marrëveshja e Portit të Durrësit shkel ligjin, kompania e regjistruar në parajsat fiskale. Humbim 350 milionë euro


Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha sot se ligji për projektin e Portit të Durrësit ka shkelje të shumta dhe se nuk ofron asnjë transparencë për publikun.

Në një dalje për mediat ai renditi shkeljet ligjore sipas tij lidhur me marrëveshjen në fjalë duke theksuar se shteti humbet të paktën 350 milionë euro

Demokrati tha se ligji shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit si dhe garën e konkurrencën duke lënë pa mbrojtje pronën publike.

“Bëhet fjalë për shkeljen e neneve 71 dhe 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit: MSA-ja, e firmosur në vitin 2006 dhe hyrë në fuqi në vitin 2009, e cila sanksionon se çdo ndihmë shtetërore që shteti shqiptar i ofron sipërmarrjeve të caktuara, e cila shtrembëron apo dëmton konkurrencën është në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Përcaktimi me ligj të posacëm i të drejtave dhe privilegjeve që një sipërmarrje private përfiton për realizimin e një projekti publik, përbën një shkelje flagrante të MSA-së. Në rastin konkret, pa asnjë lloj gare, konkurrence apo transparence, qeveria shqiptare ka përcaktuar sipërmarrjen private që gëzon të drejtën për të zhvilluar projektin e portit të Durrësit. Shkelja e nenit 11 dhe 18 të Kushtetutës: Kushtetuta garanton lirinë e veprimtarisë ekonomike, ku përfshihet edhe konkurrenca, dhe mbrojtjen në mënyrë të barabartë të pronës publike dhe private me ligj. Në rastin konkret, rezulton se jo vetëm është cënuar liria e veprimtarisë ekonomike dhe konkurrenca, por edhe mbrojtja që duhet të gëzojë prona publike. Kushtetuta përcakton se kufizimi i kësaj lirie mund të bëhet vetëm me ligj dhe për interesa publikë. Pra, kufizimi i kësaj mbrojtje që ofron Kushtetuta mund të ishte e lejueshme vetëm për sa kohë është përcaktuar me ligj dhe bëhet për interes publik. Sic do të shohim në vijim, është e qartë se në rastin konkret nuk mbrohet interesi publik, përkundrazi cënohet rëndë. Ndërkohë, përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe kontributi në strehimin social, është një trajtim i diferencuar që diskriminon padrejtësisht të gjithë ndërtuesit e qytetit të Durrësit, të cilët për zhvillimin e një projekti ndërtimi janë të detyruar t’i paguajnë këto detyrime.” – tha Alibeaj.

Ai theksoi më pas se shteti shqiptar humbet ekonomikisht nga marrëveshja për Portin e Durrësit duke hequr dorë nga të paktën 350 milionë euro.

”Pyetje që me të drejtë mund të ngrejë cdo qytetar, është cila është leverdia ekonomike që ka shteti shqiptar për realizimin e këtij projekti. Për të kuptuar leverdinë, do të na duhet të kuptojmë se cfarë ofron shteti shqiptar dhe cfarë merr në këmbim. Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje.” – shtoi Alibeaj.

Deputeti demokrat ngriti edhe shqetësimin e kompanive që do marrin pjesë në zbatimin e projektit duke thënë se bëhet fjalë për kompani të regjistruara në parajsat fiskale duke shtuar se ekziston rreziku i pastrimit të parave.

“Kompani e regjistruar në off-shore dhe pastrimi i parave: E keni dëgjuar kryeministrin dhe ministrat të mburren shpesh se po sjellin në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara, por pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: Cila është arsyeja që një projekt i tillë i jepet një kompanie të regjistruar në off-shore? Pse kompania ndërkombëtare Emmar nuk ka ardhur vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, por nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Ishujt Kajman? Edhe këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje. Emri i kësaj kompanie me reputacion ndërkombëtar, jo vetëm do t’i jepte siguri realizimit të këtij projekti, por do të ishte një marke e mirë për të garantuar suksesin e projektit në praktikë. Ndërkohë, nuk mund të mohohet rreziku që ekziston për pastrimin e parave nëpërmjet kompanive të regjistruara në parajsa fiskale, aksionarët e të cilës mbeten enigmatikë. Pra, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë. Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi.” – tha Alibeaj.

Në fund demokrati tha se i gjithë projekti nuk u jep përgjigje disa pyetjeve thelbësore siç janë se çfarë do ndodh me portin actual, si do realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano, çfarë kostosh ka ky transferim e kush i përballon ato këto kosto.