Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Protesta madhështore firmosi fillimin e një beteje që s’do ndalet deri në përmbysjen e Ramës, s’do ndalemi këtu


Kreu i PD-së Berisha tha se protesta e së shtunës është akti i kthesës së madhe të popullit opozitar dhe është nisja e një beteje që nuk do ndalet deri në përmbysjen e atij që e quajti sistem monist.

Në një deklaratë nga selia blu, ku akuzoi kryeministrin Rama e ish-kreun e PD-së Basha se janë bashkë në aferën e Portit të Durrësit, ai theksoi se beteja opozitare nuk do ndalet deri kur shqiptarët të mos vidhen e varfërohen e të jenë të lirë të votojnë si qytetarët evropianë.

“Jam para jush për të shprehur falënderimet, mirënjohjen për ata qindra mijëra, burra e gra nga Tirana , por edhe nga të katër anët e Shqipërisë që me praninë e tyre në protestën më madhështore që Tirana ka njohur në gjithë historinë e saj, firmosën aktin e kthesës së madhe të popullit opozitar, inauguruan fillimin e një beteje e cila nuk ndalet më deri në përmbysjen e sistemit monist. Derisa sa shqiptarët të votojnë të lirë njësoj si qytetarët europianë, derisa shqiptarët të mos vidhen nga një qeveri që nuk ka ligj dhe as moral. Deri sa shqiptarët të mos varfërohen dhe mjerohen nga muaji në muaji dhe të mos mbetet popull i gomoneve sic i ka shndërruar Edi Rama. Protesta e 12 nëntorit ishte në zenitin  e protestave krahasuar me numrin e popullatës e protestave në botë. Ajo dridhi themelet e një monizmi që bazohet në vjedhjen  e votës, fondeve publike, të pasurive publike  nga Edi Rama. Bazohet në frikën shantazhin drogën dhe krimin. ishte masazhi më i shkëlqyer që qytetarët u dërguan shqiptarëve kudo që janë. Ata u dërguan atyre mesazhin e shpresës të besimit e fitores.” – tha Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se kërkon të asgjësojë pluralizmin në vend duke u përpjekur t’i japë PD-së vasalëve të tij.

Berisha tha gjithashtu se shumë shpejt qytetarët do njihen me kalendarin e protestave që nuk do ndalen e do jenë mjeti kryesor kundër atij që e quajti ‘regjimi i Ramës’.

“Edi Rama është armik i betuar i parlamentarizmit. Unë u them shqiptarëve sot se nuk ka kryeministër në planet, as dhe Idi Amin që rrihte ministrat e kabinetit në mbledhje qeverie, diktator që mund të përdorë një fjalor të tillë në parlament kundër opozitës siç përdor Edi Rama, duke poshtëruar në këtë vend me fjalorin e tij të madh e të vogël, të rinj dhe të moshuar, opozitar dhe socialist, çdo njeri të qytetëruar. Së fundmi Edi Rama kërkon asgjësimin e pluralizmit, kërkon të marrë flamurin e PD-së dhe t’ia u varë në qafë vasalëve të tij, me qëllimin e vetëm të hakmerret si bir xhelati dhe nip xhelati që është për përmbysjen që kjo parti u bëri etërve të tij. Ju njoftoj se shumë shpejt do të njiheni me axhendën e protestave të tjera të fuqishme. Protestat do të jenë dhe do të mbeten mjeti kryesor, krahas primareve në betejën kundër këtij regjimi, kundër këtij njeriu. Dhe njëherë thirrja ime për miqtë dhe partnerët mbështesni shqiptarët në betejën e tyre, ne do fitojmë.” – deklaroi Berisha.