Kanë dalë pamjet e vajzës së re që akuzohet se qëndron pas sulmit të djeshëm në Stamboll, ku humbën jetën 6 persona e u plagosën mbi 80 të tjerë, e cila u arrestua nga forcat turke të sigurisë në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas ministrit të Brendshëm, gruaja në fjalë është kapur në një bastisje gjatë natës nga forcat anti-terrorit në një banesë në rrethin e Kuçukçekmeçes, që ndodhet në perëndim të vendit të sulmit.
Ajo është një shtetase siriane 23-vjeçare e identifikaur si Ahlam Albashir, e cila dyshohet se ka hyrë në territorin turk përmes Afrinit në Sirinë veriperëndimore.
Ndërkohë autoritetet turke të sigurisë kanë konfirmuar se autorja e dyshuar e sulmit në rrugën historike Istiklal të Stambollit e mori urdhrin nga grupi terrorist YPG/PKK në Siri.
Pamjet nga 1200 kamera vëzhgimi treguan lëvizjet e saj derisa ajo mbërriti në Taksim për të lënë bombën dhe më pas mori një taksi nga vendi i sulmit për të udhëtuar në lagjen Esenler të Stambollit, tha në një deklaratë Departamenti i Policisë së Stambollit.
Policia bastisi 21 banesa të ndryshme duke kapur 46 persona që dyshohet se ishin në kontakt me autoren e sulmit në sheshin Taksim.
Në marrjen në pyetje të saj nga policia, e dyshuara tha se ishte stërvitur si oficere speciale e inteligjencës nga grupi terrorist PKK/PYD/YPG dhe ajo hyri ilegalisht në Turqi përmes Afrinit të Sirisë.
Po kështu ajo ka pohuar se e e kishte kryer sulmin me bombë rreth orës 16:20 pasi e mori urdhrin e veprimit nga selia e organizatës PKK/PYD/YPG në Kobani të Sirisë.
Presidenti turk deklaroi dje se Turqia nuk do gjunjëzohet para sulmeve terroriste duke u zotuar se përgjegjësit do marrin ndëshkimin e duhur. Ndërkohë ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag denoncoi SHBA-në, Francën e Gjermaninë se mbështesin e furnizojnë me armë terroristët kurdë në Turqi e Siri.