Vendosni fjalën kyçe....

Kriza në veri të Kosovës, Borrell: Kemi bërë propozime për tejkalimin e saj


Shefi i diplomacisë evropiane Borrell pohoi se Brukseli ka bërë një propozim për zgjidhjen e situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Ai e bëri deklaratën para nisjes së takimit të kryeministrave të vendeve të BE-së, duke theksuar se ky propozim është një mundësi e mirë për daljen nga gjendja e vështirë.

Megjithatë Borrell nuk ka dha hollësi mbi propozimin, të cilin u aka bërë kryeministrit të Kosovës Kurti e presidentit serb Vuçiç.

“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë me takime. Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiç. Jemi të pakënaqur e ndodhemi në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t’iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilat kanë rënë dakord shumë vite më parë dhe jemi duke kërkuar një zgjidhje.” – tha ai.

Gjendja në veri të Kosovës është tensionuar sërish pas vendimit të Prishtinës për kthimin e reciprocitetit të targave, që ka hyrë në fuqi më 1 nëntor. SHBA-ja e BE-ja i kanë bërë thirrje Kosovës që ta shtyjë për disa muaj këtë vendim.

Javën e shkuar përfaqësuesit serbë në institucionet e vendit hoqën dorë nga detyrat që mbanin ndërsa deputetët e Listës Serbe dorëzuan mandatet, duke përshkallëzuar krizën.