Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Brendshëm turk akuza SHBA pas shpërthimit në Stamboll


Turqia do i refuzojë ngushëllimet e ambasadës amerikane lidhur me sulmin terrorist me gjashtë viktima të pasdites së djeshme në ‘Sheshin Taksim’ të Stambollit.

Ankaraja ka identifikuar milicitë kurde të YPG-së në Siri si organizatorët e bombardimeve vdekjeprurëse në Stamboll ndërsa ministri i Brendshëm turk tha se ngushëllimet e SHBA-së nuk do pranohen, duke qenë se Uashingtoni i ka mbështetur grupet kurde që veprojnë në Siri.

“Ne e kemi marrë mesazhin, por nuk do pranojmë dhe po refuzojmë ngushëllimet nga ambasada amerikane.” – u tha gazetarëve ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, cituar nga TASS.

Qortimi i Soylu erdhi ndërsa ai përditësoi mediat mbi përgjigjen e forcave të sigurisë pas sulmit të së dielës, i cili vrau gjashtë persona dhe la 81 të tjerë të plagosur.

Zyrtari turk e drejtoi gishtin nga milicitë kurde të YPG-së me bazë në Siri, si njerëzit që qëndrojnë pas sulmit terrorist duke theksuar se ‘komploti terrorist erdhi nga Ayn al-Arab’, qark në Sirinë veriore ku ndodhet qyteti me mbizotërim kurd i Kobanit.

Ankaraja e konsideron YPG-në si pjesë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup milicie turko-kurde që ka zhvilluar një luftë guerile prej dekadash kundër qeverisë. SHBA e ka cilësuar PKK-në si organizatë terroriste.

Megjithatë Uashingtoni ndihmoi luftëtarët kurdë sirianë duke u ofruar armë, stërvitje dhe mbështetje ajrore si pjesë e përfshirjes ushtarake të SHBA-së në Siri. YPG luftoi kundër forcave të ISIS-it në rajon megjithatë  qeveria turke u ankua se duke forcuar YPG-në, SHBA-ja po minonte sigurinë kombëtare të Turqisë.

Bombardimi i së dielës ndodhi në rrugën ikonë ‘Istiklal’, një nga atraksionet më të mëdha turistike të Stambollit. Soylu njoftoi të hënën se forcat e zbatimit të ligjit kishin arrestuar 46 persona në lidhje me shpërthimin, duke përfshirë 23-vjeçaren që dyshohet se hodhi bombën përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes, së bashku me personin e akuzuar për organizimin e komplotit.