Vendosni fjalën kyçe....

“Sanksionet kundër Rusisë mund të shtrihen përtej krizës së Ukrainës” – Sekretarja amerikane e Thesarit


Disa nga sanksionet antiruse që u vendosën pas sulmit rus ndaj Ukrainës mund të mbeten në fuqi edhe pas përfundimit të luftës, tha zyrtarja e lartë në administratën e presidentit Joe Biden për Wall Street Journal.

“Ne mendojmë, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur, se ndoshta disa sanksione duhet të qëndrojnë në fuqi.” – tha të dielën Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen në një intervistë gjatë pjesëmarrjes së saj në samitin e G20-ës në Indonezi. Ajo pohoi se Rusia nuk ka bërë asnjë përpjekje për të kërkuar bisedime paqeje.

Komentet e Yellen sugjerojnë se Uashingtoni mund të ndërmarrë një fushatë afatgjatë për të ‘shtrydhur’ ekonominë ruse, në vend që thjesht të përpiqet t’i japë fund konfliktit në Ukrainë, tha Wall Street Journal.

Çdo marrëveshje paqeje do përfshinte një rishikim të dënimeve që SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë vendosur ndaj Moskës, tha Yellen, duke shtuar: “Unë mendoj se në kontekstin e një marrëveshjeje paqeje, rregullimi i sanksioneve është i mundur dhe mund të jetë i përshtatshëm.”

Administrata Biden thuhet se po anon drejt një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit me afrimin e dimrit.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Biden, Jake Sullivan, i ka kërkuar presidentit ukrainas Vladimir Zelensky të jetë ‘realist’ në lidhje me kërkesat e tij ndaj Rusisë, duke përfshirë rishqyrtimin e mundshëm të qëllimit të tij të deklaruar për të rimarrë kontrollin e Krimesë, raportoi Wall Street Journal të dielën, duke cituar dy diplomatë evropianë.