Avokatja liberale, Natasa Pirc Musar, ka fituar balotazhin duke u zgjedhur presidentja e parë femër e Sllovenië. Gjatë fjalës pas shpalljes së fitores, ajo tha se do kërkojë të kapërcejë ndarjen e thellë të majtë e të djathtë në kombin alpin prej 2 milionë banorësh.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara të dielën në vendin e vogël të BE-së, Pirc Musar mposhti ish-ministren e jashtme konservatore të Sllovenisë, Anze Logar me 54 për qind të votave kundrejt 46 për qind të kundërshtares.
Fitorja e Musar forcon edhe më shumë bllokun liberal të vendit pas fitores së koalicionit të qendrës së majtë në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë në prill.
“Detyra ime e parë do jetë hapja e një dialogu mes të gjithë sllovenëve.” – tha ajo ndërsa ekipi i saj zgjedhor festonte.
“Në zgjedhjet demokratike, sllovenët kanë treguar se çfarë lloj vendi duan. Gjatë gjithë jetës sime kam mbrojtur të njëjtat vlera: demokracinë, të drejtat e njeriut, tolerancën. Është koha të ndalojmë së përplasuri me të kaluarën. Shumë gjëra duhet të bëhen për të ardhmen.” – tha ajo.
Logar pranoi humbjen, duke thënë se shpreson që Pirc Musar ‘t’i mbajë që gjitha premtimet’ e bëra gjatë fushatës.
Kush është Natasa Pirc Musar
Pirc Musar, 54 vjeç, do jetë gruaja e parë që do të shërbejë si presidente që kur Sllovenia u bë e pavarur në mes të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991.
Një avokate e shquar, Pirc Musar kishte përfaqësuar ish-zonjën e parë të SHBA-së, Melania Trump, në çështjet e të drejtave të autorit dhe çështje të tjera në vendlindjen e saj Slloveni. Ajo njihet edhe autore librash e gazetare, ndërsa më herët ka qenë president e Kryqit të Kuq slloven.
Pirc Musar studioi drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Lubjanës në vitin 1992 duke u diplomuar pesë vite më pa. Pas diplomimit, Musar u punësua në televizionin slloven, ku punoi gjashtë vjet si gazetare dhe drejtuese e programit qendror të lajmeve.
54-vjeçarja mban titullin Doktore e Jurisprudencës të marrë në Universitetin e Vjenës në fushën e të drejtave të privatësisë dhe lirisë së informacionit.
Në zgjedhjet e raundit të parë, asnjë nga shtatë pretendentët që konkurruan në raundin e parë nuk arriti të mbledhë më shumë se 50 për qind mbështetje për të shpallur fitoren e plotë, Logar dhe Pirc Musar shkuan në balotazh. Pirc Musar pason në detyrë presidentin Borut Pahor, një politikan i qendrës që kishte shërbyer tashmë dy mandate.
Edhe pse presidenca është kryesisht ceremoniale në Slloveni, kreu i shtetit ende shihet si një person me autoritet.
Presidentët emërojnë kryeministrat dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët më pas zgjidhen në parlament dhe emërojnë anëtarët e Komisionit kundër Korrupsionit.