Vendosni fjalën kyçe....

SPAK vendos nën akuzë Mirel Mërtirin


Njeriu hije i inceneratorëve, i quajtur si truri i tyre, Mirel Mërtiri, tashmë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion, pas një hetimi të gjatë më në fund ka marrë si person të akuzuar edhe shtetasin Mirel Mërtiri.

Ky i fundit është një nga emrat e shumëpërmendur që del me dhjetëra e dhjetëra raste i lidhur me kompanitë e inceneratorëve sa në Holandë, në Tiranë, në Elbasan, apo në Fier.

Mireli diku është ortak me një shtetas italian nëpërmjet bashkëjetueses së tij, nënës së fëmijëve, Stela Gugallja. Diku dërgon një letër në Zimbabve, në Ghana apo në Bagdat, diku bën një aksident me një ministër të Edi Ramës, diku tjetër shfaqet sërish në Afrikë në foto me ministra që hynë në burg, në krah të Gerti Bogdanit, e kështu me radhë.

Del punëtor, paguhet nga inceneratorët, por shumë njerëz, Birn gjithashtu në një investigim e ka quajtur trurin e inceneratorëve. Tashmë Mirel Mërtiri është zyrtarisht nën akuzë.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga CNA.al, Mirel Mërtiri, së bashku me bashkëjetuesen e tij Stela Gugallja dhe Klodian Zoto akuzohen për: 

Bazuar në argumentet e mësipërme provohet fakti dhe krijohet bindja se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga neni 287, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal”.

Pra, siç thotë dokumenti përkatës, i cili është njoftimi i akuzës që i bëhet Mirel Mërtirit dhe të akuzuarve të tjerë në lidhje me aferën korruptive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri tashmë duhet të përballet me drejtësinë.

Së pari, njeriu kyç dhe truri i inceneratorëve tashmë është nën akuzë dhe mesa duket SPAK ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal, pasi sipas vetë deklarimeve të dhëna nga prokurorët, sipas pretendimeve të vetë prokurorëve, njerëzit e përfshirë në këtë aferë korruptive kanë vepruar në bashkëpunim, korrupsion, pastrim paraje, akuza këto mjaft të ashpra që drejtohen tashmë ndaj treshes Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, deri ditën e premte kur është prerë dhe fletë arresti për Mirel Mërtirin.

Personat e akuzuar kanë qenë vetëm Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, të dy në arrati. E para, sipas të gjitha deklarimeve ndodhet në Austri, në Vjenë, ku dhe lehtësisht mund të gjendet, pasi ka kërkuar strehim politik. Gjithashtu edhe fëmijët e saj janë të regjistruar në shkollë.

Nga ana tjetër, Klodian Zoto disa herë është kërkuar të gjendet në Tiranë, Elbasan apo Korçë. Gjithsesi, i treti është Mirel Mërtiri. Edhe Mirel Mërtiri mesa duket i ka ikur drejtësisë.

Burime nga SPAK i thanë CNA.al se ai ndodhej jashtë në momentin që është përgatitur akuza, por pritet të shohim se cilat do të jenë hapat e mëtejshme pas njoftimit zyrtar që do të marrin avokatët e Mirel Mërtirit në lidhje me akuzën e është ngritur ndaj tij, që tashmë është bashkuar edhe me akuzat e tjera e ngritura ndaj Stela Gugalljas, bashkëjetueses së tij, apo edhe shtetasit Klodian Zoto.

Mirel Mërtiri shfaqet në inceneratorin e Elbasanit nëpërmjet Stela Gugalljes dhe në një prej kompanive ku bashkëjetuesja e tij është ortake me shtetasin italian Ernesto Granelli “ER One”, ai është administrator.

Më pas shfaqet si rrogëtar, si drejtor në një nga kompanitë e inceneratorëve dhe kjo është e verifikueshme nga lista e pagave, të cilat u bënë publike pak muaj më parë.

Mirel Mërtiri shfaqet në Afrikë me Gerti Bogdanin në foto me një ministër Shëndetësie, i cili hyn në burg. Lajmin e dha Zimbabwe News dhe për këtë u përfol dhe u aludua se Mireli nuk ishte Ilir Dedja e të tjera si këto, por në fakt ai është atje në foto.

Mirel Mërtiri shfaqet me letër me firmën e tij drejtuar bashkisë së Bagdadit, apo sërish në Zimbabwe në grupe negociatore për të negociuar në emër të kompanive të inceneratorëve, nëpërmjet kompanisë “GeoGenix BV”, e cila është në fakt “Integrated Energy BV”, mëma e kompanisë së inceneratorit të Tiranës që në Tiranë fillimisht u paraqit si kompani holandeze, por në fakt tek ajo shfaqeshe Klodian Zoto, Ernesto Granelli, një tjetër shtetas italian, Giuseppe Caffaglione dhe tashmë në këtë kompani shfaqet publikisht, sipas dokumentave të siguruara nga CNA.al, edhe shtetasi Mirel Mërtiri, ky i fundit nën akuzë nga SPAK .

Tashmë pritet të mësojmë fatin e tij. Do të shkojë të dorëzohet dhe të hetohet apo do të fshihet dhe të do të qëndrojë në arrati në Austri, nga ku nuk lëviz dot se duhet të kërkojë strehim politik apo të fshihet, të marrë arratinë për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare.

CNA.al sjell dokumentin ekskluziv dhe akuzën për herë të parë që është ngritur ndaj shtetasit Mirel Mërtiri, firmosur nga prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi. Mërtiri i quajtur si “truri i inceneratorëve”, njeriu i përfshirë në skemë, i cili shfaqet kudo dhe kurdoherë te kompanitë dhe zinxhiri i inceneratorëve, por asnjëherë nuk ishte nën akuzë dhe ndaj tij nuk ishte drejtuar gishti nga drejtësia, e cila tashmë mesa duket se ka mundur të sigurojë prova direkte dhe indirekte që akuzojnë Mirel Mërtirin për aferën e inceneratorëve.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e CNA.al