Hollësi të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur me 13 gusht të këtij viti, ku një 22-vjeçare nga Kenia, e cila ishte rekrutuar nga një kazino në Tiranë u gjet në gjendje të rëndë pranë shtëpisë së saj në rrethana të mistershme.
Ajo dyshohet se është dhunuar barbarisht nga një grup personash të cilët kanë qenë në banesën e saj me qira në rrugën ‘Pandeli Evangjeli’ në Tiranë.
BW raporton ekskluzivisht se natën e ngjarjes, më 13 gusht 2022, e reja me emrin Joy ka qenë në banesë me 5 persona, katër prej të cilëve shqiptarë, 3 djem dhe 2 vajza përkatësisht.
Burime konfidenciale që citohen nga BW pohojnë se mes 22-vjeçares dhe personave ka ndodhur një sherr dhe më pas ata e kanë dhunuar barbarisht dhe e kanë hedhur nga ballkoni i katit të dytë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 14 gushtit dhe e reja pasi është hedhur nga ballkoni nga personat në fjalë, ka rënë në pjesën e oborrit të banesës së katit të parë, ku është gjetur disa orë më pas nga banorët e pallatit që kanë njoftuar policinë.
Edhe pse nga ngjarja kanë ndodhur tre muaj, prokuroria nuk ka ende emra të dyshuarish dhe as janë marrë në pyetje personat që ndodheshin atë natë në banesë, përjashtuar vetëm një prej vajzave, e cila ishte shoqe e 22-vjeçares dhe punonin bashkë në një kazino në kryeqytet.
Pas ngjarjes, dyshohet se personat që ndodheshin në banesë janë larguar me tre mjete të ndryshme. Ngjarja u mbajt e fshehtë dhe nuk u raportua asokohe as nga mediat e as nga policia e cila reagoi zyrtarisht vetëm pak ditë më parë, duke dhënë shumë pak hollësi për atë që kishte ndodhur. Po kështu ngjarja është referuar dy javë me vonesë në prokurori nga ana e policisë.
22-vjeçarja me emrin Joy u gjet në gjendje të rëndë pranë banesës së saj në rrethana të mistershme ndërsa tani ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës.
Ajo punonte në kazinonë e dedikuar prane ‘Air Albania’ e cila cila operohet nga një kompani austriake që përfaqësohet ne Tiranë nga shtetasi Bledar Sinanaj i njohur si ‘Dari’.
Nëna e saj ka kërkuar ndihmë financiare për të transportuar të bijën jashtë vendit për ndihmë mjekësore më të specializuar. Ajo gjithashtu ka pohuar për mediat se policia nuk i ka dhënë telefonat e së bijës që kanë qenë aty natën e ngjarjes.