Një zhvillim i papritur lidhur me çështjen e ektsradimit të shtetasit kinez Liangbin Chen ka hedhur dyshime për manipulimin e shortit të gjyqtarëve në Apel.
Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë nesër çështjen e ekstradimit në Kinë të 32-vjeçarit Liangbin Chen, i cili akuzohet në vendin e tij për zhvatjen e miliona eurove përmes mashtrimit në platformat online.
Megjithatë dorëheqja e papritur e gjyqtares që ishte caktuar për të shqyrtuar çështjn ka çuar në rihedhjen e shortit, duke bërë që çështja t’i caktohet gjyqtarit Genti Shala.
Fillimisht gjykata e Tiranës vendosi ekstradimin e Chen në Kinë ku kërkohet nga drejtësia.
Ai akuzohet si kreu i një bande e cila ka pasur selinë në qytetin Huzhou në Kinë dhe që ka kryer mashtrime në platformat online për ambiente me qira, shitje kompjuterësh dhe telefonash në Dubai, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dyshohet se Chen kishte fituar në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara plotë 145 milion dollarë. Ai u arrestua në korrik në Rinas pasi vinte nga Dubai me pasaportë kamboxhiane.
Chen ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Pekini në Kinë, pasi autoritetet gjyqësore kineze i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar nga Kodit Penal kinez.
Çështja e shtetasit kinez është ndjekur me interes edhe në qarqet politike në vend ku dyshohet se eksponentë të caktuar kanë qenë e janë tejet të interesuar për fatin e biznesmenit nga Kina, i kërkuar nga Pekini.
Madje asokohe u fol se në prapaskenë ishte përgatitur një skenar për rrëzimin e ekstradimit të Chen në Kinë me pretendimin se kërkesa nuk ishte paraqitur konform ligjit, ndërkohë që autoritetet konfirmuan se dokumentet ishin bërë siç i parashikon ligji.