Një shoqatë gjermane që kujdeset për varret e të vdekurve të luftës ka thënë se dëshiron të fillojë ndarjen e ukrainasve nga rusët dhe kombësitë e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, duke filluar me varrezat në Hamburg.
“Ne po fillojmë të dallojmë varret.” – tha për agjencinë gjermane të lajmeve DPA, Christian Luebcke, drejtor menaxhues i Komisionit Gjerman të Varrezave të Luftës (Volksbund Deutsche Kriegsgräberfürsorge). Pohimi i tij erdhi të dielën, ‘ditën e zisë kombëtare’ në të cilën njerëzit në mbarë Gjermaninë nderojnë ata që vdiqën në luftë.
Ka rreth 1,400 të vdekur të luftës sovjetike të varrosur në varrezat e Hamburgut, vlerësoi Luebcke. Si një nga arsyet për ndarjen e të vdekurve të luftës, Luebcke solli konfliktin e tanishëm midis Rusisë dhe Ukrainës dhe përkujtimet e ‘Regjimentit të Pavdekshëm’ rus, për të cilat ai tha se kishin ‘tone nacionaliste dhe pjesërisht historike revizioniste’.
‘Regjimenti i Pavdekshëm’ është një nismë e shoqërisë civile e nisur në vitin 2011, pasi numri i veteranëve të gjallë të Luftës së Dytë Botërore u pakësua për shkak të moshës. Që nga viti 2012, shumë rusë kanë përkujtuar triumfin e të parëve të tyre mbi Gjermaninë naziste duke mbajtur portretet e tyre në paradat e Ditës së Fitores së 9 majit. Nisma mbështetet nga qeveria në Moskë.
Të vdekurit e luftës sovjetike përbëjnë një pjesë të 62,000 varreve nga të dy luftërat botërore në Hamburg. Rreth 652 robër lufte dhe punëtorë të detyruar janë varrosur në Bergedorf. Dy të tretat e 524 të varrosurve në Ohlsdorf janë të burgosur nga kampi Sandbostel.
Pjesa tjetër janë të shpërndara nëpër dhjetë varreza të tjera të luftës në Hamburg. 77 varre të tjera në ishullin Hahnoefersand i përkasin të burgosurve nga Perandoria Ruse në Luftën e Parë Botërore, të cilët vdiqën nga sëmundje të ndryshme në robërinë gjermane.