Kushtet e Kievit për fillimin e bisedimeve të paqes me Moskën janë ‘joreale dhe jo të përshtatshme’, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në samitin e G20-ës duke shtuar se Moska nuk refuzon të negociojë.
Lavrov, i cili përfaqëson Rusinë në mbledhjen e profilit të lartë në ishullin indonezian të Balit, tha se zhvilloi një bisedë të shkurtër me presidentin francez Emmanuel Macron më herët të martën. Gjatë bisedës, udhëheqësi francez ‘konfirmoi gatishmërinë e tij për të vazhduar kontaktet me presidentin rus Vladimir Putin për të gjetur disa marrëveshje që do të lejonin zgjidhjen e krizës, tha Lavrov.
“I kujtova Macron-it se të gjitha problemet janë nga pala ukrainase, e cila refuzon kategorikisht çdo bisedë dhe parashtron kushte që janë pa ndryshim joreale dhe jo të përshtatshme, duke marrë parasysh situatën.” – tha ministri i Jashtëm.
Duke komentuar fjalimin me video të presidentit ukrainas Vladimir Zelensky në samitin e G20-ës, Lavrov tha se ai ishte plot me ‘retorikë militante, rusofobike dhe agresive’.
“Ne vazhdimisht, përmes deklaratave të presidentit tonë, kemi konfirmuar se nuk i refuzojmë negociatat, nëse dikush e bën këtë, është Ukraina. Dhe sa më gjatë të refuzojë të flasë, aq më e vështirë do të jetë të gjendet gjuha e përbashkët.” – tha Lavrov.