Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj nxjerr dokumentin: Rama mashtroi, Portin e Durrësit nuk do e ndërtojë kompania Emaar por familja Alabbar


Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka publikuar dokumentin që tregon mbi kompaninë që pritet të ndërojë projektin për Portin e Durrësit.

Shehaj akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar se projekti do ndërtohet nga kompania Emaar.

Sipas dokumentit të publikuar nga deputeti përfituesi fundor rezulton Muhamed Alabbar dhe familja e tij

Edi Rama mashtroi publikisht kur tha se Portin e Durrësit do ta ndërtonte Emaar. Sipas vetë deklarimeve të kompanisë “Eagle Hills” në institucionet shtetërore, përfituesi fundor që po merr Portin e Durrësit, rezulton Muhamed Alabbar dhe familja e tij.

Siç dëshmohet qartë nga kjo foto, Alabbar rezulton të ketë 40 për qind të aksioneve fundore në Portin e Durrësit, ndërsa familiarët e tij rezultojnë të kenë 60 për qind të tjerat. Pra Porti i Durrësit, projekti 2.1 miliardë euro i shumë trumbetuar nga qeveria dhe kryeministri është thjesht një biznes familjar.

Në projekt nuk ka as Emaar as princ kurore siç mashtronte publikisht Edi Rama, por është vetëm familja Alabbar. Me pak fjalë, qeveria shqiptare po bën ligj dhe po hyn në marrëveshje 2.1 miliardë euro vetëm me një individ, të cilit po i falen 820 mijë metër tokë, mbi 300 milionë euro taksa dhe për hir të këtij biznesi po shkatërrohet porti më i madh tregtar i vendit.

E megjithatë edhe ky zinxhir pronësie është i bazuar në vetdeklarimet e kompanisë Eagle Hills. Askush nuk mund të provojë se kush qëndron realisht pas aferës së portit të Durrësit, pasi skema e përdorur është thuajse identike me atë të inceneratorëve, marrëveshje me individë dhe kompani të sapokrijuara pa asnjë historik financiar”-shkruan Shehaj.

Muhamed Alabbar është tërhequr prej kohësh nga kompania Emaar dhe ka krijuar kompaninë Egle Hills.

Emaar është kompania që ka ndërtuar ndërtesat e famshme në Emiratet e Bahskuara Arabe si Burj Khalifa and the Dubai Mall.