Deputeti i opozitës Dashamir Shehi u ka kërkuar deputetëve socialistë të shpjegojnë ngutinë që kanë për miratimin e marrëveshjes për Portin e Durrësit duke kërkuar që kjo çështje të diskutohet pas miratimit të buxhetit.
Shehi tha gjatë mbledhjes në Komisionin e Ekonomisë se kontrata që ka mbërritur vetëm dje ka 99 faqe dhe nuk është shqyrtuar nga askush duke qenë se koha ka qenë tejet e shkurtër.
“A nuk do ishte më logjike që ta shtyjmë këtë punë pas buxhetit. Pse kjo ngutje. Dje erdhi kontrata, kontrata është 99 faqe, ka ndonjë që e lexon nga ne dhe e shpjegon, pa u konsultuar me një jurist, ku qëndron dhe jo, ku jemi ne këtu, ça po ndodh, jemi në luftë? Po bëhet biznes që do vazhdojë 10 vjet, ju doni ta mbyllni marrëveshjen për 10 ditë. Kjo ngutje më shqetëson mua, se gjërat e ndershme s’bëhen kështu.” – tha Shehi.