Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi vazhdimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara gjatë takimit të tij të parë personal me Presidentin Joe Biden të hënën, por këmbënguli se përpjekjet e Uashingtonit për të shtypur ose për të frenuar Kinën do dështonin.
Një transcript i bisedës i lëshuar nga Ministria e Jashtme kineze dha hollësi mbi bisedimet Xi-Biden në margjinat e samitit të G20 në Bali, Indonezi, duke thënë se bisedimet ishin ‘të thelluara, të sinqerta dhe konstruktive’. Deklarata vuri në dukje se ndërsa Kina dhe SHBA ndajnë shumë interesa të përbashkëta, tensionet midis dy fuqive rrezikojnë një ‘përplasje’.
“Gjendja aktuale e marrëdhënieve Kinë-SHBA nuk është në interesat themelore të dy vendeve dhe popujve dhe nuk është ajo që pret komuniteti ndërkombëtar.” – i tha Xi homologut amerikan, siç citohet nga Ministria e Jashtme. Ai u bëri thirrje vendeve që ‘të vendosin marrëdhëniet në rrugën e duhur dhe ta kthejnë atë në rrugën e rritjes së shëndetshme dhe të qëndrueshme në dobi të dy vendeve dhe botës në tërësi’.
Xi argumentoi se ndërsa Kina dhe SHBA kanë marrë ‘rrugë të ndryshme’ me sistemet e tyre politike dhe ekonomike, ‘është jetike të njihet dhe respektohet një ndryshim i tillë’ dhe të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore. Marrëdhëniet nuk duhet të përcaktohen nga ‘konfrontimi dhe konkurrenca me shumatore zero”, por ‘dialogu dhe bashkëpunimi përfitues i dykahshëm’.