Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, e ka cilësuar aksionin e fundit nga SPAK-u për aferën e inceneratorit të Fierit, si një pikë në oqeanin e korrupsionit ku janë zhytur sipas tij, ministra dhe kryeministri Edi Rama
“Hetimet dhe vendimet e deritanishme të SPAK janë të pamjaftueshme dhe sipërfaqësore. PD ka denoncuar me fakte konkrete aktet korruptive të inceneratorëve, ministrat dhe kryetarët e bashkive të përfshirë në këtë aferë.
Sikundër është e qartë për të gjithë, përfshirë dhe institucionet e heshtura të drejtësisë se arrestimet e sotme janë vetëm një pikë në oqeanin e korrupsionit të inceneratorëve ku janë të zhytur ministra dhe kryeministri.
Pa u ndëshkuar përgjegjësit e vërtetë, besimi i qytetarëve tek drejtësia do mbetet i ulët. Vetëm çuarja deri në fund e me seriozitet i hetimeve për këtë aferë do rrisë besimin se SPAK do të mund të mbrojë interesin e qytetarëve përballë zyrtarëve të lartë dhe të korruptuar!”, deklaron Alibeaj.