Vendosni fjalën kyçe....

Avioni i NATO-s gjurmoi raketën që goditi Poloninë – CNN


Një aeroplan i NATO-s ka mundur të gjurmojë raketën që ra në territorin polak, duke shkaktuar një shpërthim vdekjeprurës në një fshat afër kufirit me Ukrainën, tha një zyrtar i paidentifikuar nga aleanca ushtarake për CNN të martën.

Sipas zyrtarit, ‘informacionet me gjurmët e radarit iu dhanë NATO-s e Polonisë’. Megjithatë, burimi nuk ka dhënë hollësi se nga mund të jetë lëshuar predha dhe nga kush.

NATO ka kryer fluturime të rregullta vëzhgimi në krahun e saj lindor për të mbikëqyrur gjendjen në Ukrainë që kur Rusia filloi ofensivën e saj ushtarake në fund të shkurtit. Aleanca operon një flotë avionësh Boeing E-3A, të pajisur me radarë me rreze të gjatë dhe sensorë të përparuar.

Të martën, media lokale raportoi se dy punëtorë ferme kishin vdekur në fshatin Przeëodoë, afër kufirit me Ukrainën. Varshava tha se ata u vranë nga një raketë ‘e lëshuar nga Rusia’ dhe thirri ambasadorin rus, duke vënë ushtrinë e saj në gatishmëri të lartë. Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky akuzoi Rusinë për bombardimin e territorit të Polonisë dhe i kërkoi NATO-s të veprojë kundër shtetit ‘terrorist’.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Moska nuk kreu asnjë sulm kundër objektivave pranë kufirit polako-ukrainas atë ditë, duke shtuar se fragmentet e raketave, fotot e të cilave u publikuan nga mediat polake, ‘nuk kanë të bëjnë me armët ruse’.