Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka thënë se nuk ka gjasa që raketa që goditi territorin polak pranë kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona, të jetë lëshuar nga Rusia. Ai vuri në dukje se trajektorja e saj nuk ishte në përputhje me sulmin të nisur nga forcat ruse.
Duke folur me gazetarët në samitin e G20-ës në Bali, Indonezi të mërkurën në mëngjes, pas konsultimeve të hershme me anëtarët e NATO-s, Biden u pyet nëse ishte ‘shumë herët për të thënë nëse kjo raketë ishte lëshuar nga Rusia’.
“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë.” – u përgjigj Biden, duke shtuar: “Nuk mund të them gjë me siguri derisa të jenë mbyllur hetimet, por nuk ka gjasa, duke pasur parasysh trajektoren e raketës që ajo të jetë qëlluars nga Rusia. Megjithatë do e shohim.”
Shtëpia e Bardhë tha më parë se Biden kishte thirrur një tryezë të rrumbullakët të menjëhershme mes zyrtarëve të lartë nga shtetet e NATO-s, si dhe Japonia, për të diskutuar shpërthimin misterioz në Przeëodoë, Poloni të martën. Në një deklaratë të përbashkët pas seancës, liderët thanë se ata ranë dakord të ‘mbështesin hetimin e Polonisë’ për incidentin dhe ‘do mbeten në kontakt të ngushtë për të përcaktuar hapat e duhur të ardhshëm’.
Më herët Varshava sugjeroi se mund të përdorte dispozitën e Nenit 4 të NATO-s, e cila kërkon që 30 shtetet e bllokut të zhvillojnë konsultime nëse ndonjë anëtar beson se është nën kërcënim ushtarak ose dëshiron të diskutojë ndonjë ‘çështje tjetër shqetësuese’. Masa është e ndryshme nga Neni 5, një garanci kolektive e sigurisë që detyron të gjitha shtetet e NATO-s të dalin në mbrojtje të një anëtari tjetër.
Sipas Reuters, presidenti polak Andrzej Duda tha se është ‘shumë e mundshme’ që Polonia së shpejti të thërrasë Nenin 4, megjithëse hetuesve u mungojnë tani për tani prova konkrete që tregojnë për ndonjë palë përgjegjëse pas shpërthimit.