Pasditen e 16 nëntorit skadoi afati për vendet e BE-së që me të ashtuquajturën procedurë të heshtur, t’i paraqesin vërejtjet e tyre në lidhje me propozimin e Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Nga burimet diplomatike të Radio Evropa e Lirë në Bruksel mësohet se “së paku dy shtete” e ndërpernë këtë procedurë dhe penguan që propozimi të marrë dritën e gjelbër.
Sipas burimeve, Spanja ishte ajo që paraqiti vërejtje, ndërsa disa shtete tjera kërkuan më shumë sqarime.
Propozimi i Çekisë, vend që aktualisht udhëheq Presidencën e BE-së, ishte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.
Burimet diplomatike, megjithatë, thonë se situata e krijuar nuk do të thotë se propozimi çek nuk do të kalojë as në të ardhmen.
Tani pritet që Presidenca çeke, në takime dypalëshe me vendet që paraqitën vërejtje, t’i sqarojë disa çështje teknike.
Sipas burimeve, po ashtu synohet që propozimi të kalojë në nivel më të lartë, atë të ambasadorëve, para fundit të këtij viti.
Spanja, e cila do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2023, sipas burimeve, do të preferonte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të shtyhet për një muaj, përkatësisht më 1 janar të vitit 2024. Arsyet për këtë nuk janë të qarta.
Diplomatët në BE, megjithatë, besojnë se Presidenca çeke, gjatë dy javëve të ardhshme, do të arrijë pajtimin e vendeve anëtare për miratimin e propozimit të saj.
Mësohet se edhe Sllovakia – ashtu sikurse Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës – kërkoi “disa sqarime” rreth propozimit çek.
Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.
ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Kërkesa e Francës erdhi me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 26 shtetesh evropiane.