Vendosni fjalën kyçe....

DOKUMENTI-Vettingu shkarkoi pa prova gjyqtarin e Gjykatës së Lartë


Në emailet e hakuara të Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror është edhe një letër e Komisionit të Pavarur të Apelimit që shpreh shqetësimin se po shkarkon gjyqtarë pa prova.

KPK-ja i ka dërguar letër Helidon Bendos dhe Kryeministrit Edi Rama ku kërkon zgjidhjen e problematikës në të cilin haset organi i vettingut nga përgjigjet e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Në letër thuhet se organet e vettingut nuk janë të bindura me përgjigjet pa i vënë në dispozicion provat kur gjyqtarët thuhet se janë të korruptuar apo kanë kontakte me persona të inkriminuar.

Meqenëse Kushtetuta shprehet për kalimin e barrës së provës tek subjekti i rivlerësimit, është e domosdoshme që Komisioni të disponojë/ administrojë dokumentet që provojnë apo bindin atë për lidhje të mundshme të subjektit të rivlerësimit me kontakte të papërshtatshme. Komisioni duhet të krijojë bindjen e brendshme nëse është apo jo, subjekti i rivlerësimit, i përfshirë në veprime korruptive apo ka lidhje me kontakte të papërshtatshme”, thuhet në letrën me firmë të kryetares së KPK-së, Genta Tafa.

Në letër përmendet rasti i shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, ku sqarohet se Komisioni rrezikon të veprojë në padijeni totale të informacionit për të përpiluar raportin p♪7r sbjektin e vlerësimit.

Pyetjet e ngritura në letrën e KPK-së lënë të kuptohet se organet e drejtësisë veprojnë në verbëri të informacionit të ardhur nga DSIK-ja.

“Nëse u referohemi tre rasteve të ndryshme, çështja Selimi, Toska dhe Broci, raportet nga DSIK kanë ardhur të ndryshme, bindja e komisionit është disi e ndryshme nga konkluzionet e nxjerra nga raportet. A mundet Komisioni të veprojë në padijeni totale të informacionit, që ka shërbyer për përgatitjen e këtij raporti? A mundet komisioni t’i kalojë barrën e provës subjektit të rivlerësimit për një konkluzion, të cilin as ai vetë nuk ka mundur ta vlerësojë dhe të krijojë bindjen e brendshme mbi këtë çështje? Një vendim i tillë do të ishte lehtësisht i kontestueshëm nga çdo gjykatë më e lartë dhe do të binte ndesh me parimin e një procesi të rregullt ligjor”-theksohet në letër.

Genta Tafa i kërkon Ramës dhe kreut të SHISH të ndërhyjnë për zgjidhjen e këtij ngërçi duke premtuar se informacionet sekrete do të ruhen si të tilla gjatë seancave me subjektet e vettingut.

Lutemi të merrni në konsideratë kërkesën tonë të vazhdueshme që shërbimet inteligjente të mundësojnë dhënien e informacioneve sekretë që ata disponojnë, me garancinë e plotë të ruajtjes së sekretit nga ana jonë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mendon se suksesi i këtij procesi duhet të jetë i lidhur me bashkëpunimin nga të gjitha organet shtetërore, të cilat duhet të na vënë në dispozicion informacionet që ato disponojnë, pa dyzime apo kufizime”-thuhet tutje në letër.