Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka folur sot lidhur me aferën e inceneratorëve. Ndërsa ishte e ftuar në “News24”, ajo tha se “koka” e aferës së inceneratorëve po mban nën presion SPAK-un.
Në një debat me Sokol Hazizajn, avokatin e Alqi Bllakos, deputetja Kryemadhi tha se ishte klienti i tij që mori më qafë edhe ish-ministrin Lefter Koka.
“Marrëdhënie avokat- i pandehur duhet të jetë i sinqertë ndryshe nuk do ta ndihmoni dot. Bllako ju gënjen kur thotë ka qenë shef kabineti i Metës, 11 nentor 2018 ka ndërprerë marrëdhëniet, ndërsa marrëdhëniet fizike sipas regjistrit të Gardës, do shihni se nga 1 tetori s’ka shkelur më në Presidencë ndërsa babai i Bllakos ka nisur marrjen e pagesës në tetor.
Marrëdhënia juaj duhet të ketë e sinqertë ndryshe do jeni në pozitë të keqe politike e juridike. Bllako mori në qafë jo vetëm veten por edhe Kokën duke ja bërë të thjeshtë skemën. Kur ka qenë Sekretar i Përgjithshëm ka qenë hartues i korrespondencës dhe dokumenteve të ministrisë me qeverinë. megjithatë Koka e Bllako janë të vegjlit e kësaj gjëje.
Bllako mbrohet nga Veliaj e Rama. Parulla e mua është e thjeshtë për mua për të gjithë juristët ‘ndiq paranë!’ Dosjen s’ma kanë dhënë prokurorët se i bie të ma ketë dhënë burri i Armonela Felaj.”– tha Kryemadhi.
Ajo mes të tjerash shtoi se nuk qëndron problematika e aferës tek paga e babait të ish-deputetit Alqi Bllako por te “koka” që qëndron pas skemës dhe që sipas saj mban nën presion SPAK-un.
“Dua të sqaroj dy gjëra, ky është një proces që ka skepticizmat e veta, janë cironka, peshq të vegjël, për një gjë jam sigurt. Çdo fakt që kemi depozituar në SPAK, çdo ditë e më shumë po dalin që janë të vërteta, SPAK është në pozita shumë të vështira. Akuzat e sotme janë akuza që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e punimeve dhe fshehjen e situatës. Gjëja që të bën të jesh skeptike është që vazhdimi i pagesave të faturave nga buxheti për inceneratorët. Jo vetëm që paguajmë për to kur njerëzit janë në kërkim ndërkombëtar, vetëm në vend ndodhin këto paradokse.
Këtu është çështja te koka, koka është ai që mban nën presion SPAK-un. Pivot 4 është pika lidhëse që inceneratori i Tiranës është një çështje jo komplekse më. Para një jave ka kaluar parlamenti 10 milionë dollarë për inceneratorin e Tiranës.”- tha ajo.
Lidhur me inceneratorin e Fierit, ajo tha se tha se kryebashkiaku Armando Subashi ka akuzuar drejtorinë juridike në Kryeministri duke thënë që leja për të paguar para për tokën arrë i ka ardhur me vendim qeverie.
“Thirrja e Armando Subashit para pak kohësh në SPAK, nuk ka thënë njeri që ka pasur urdhër arresti për Subashin. Është frenuar thirrja e Armando Subashit në SPAK. Në dijeninë time Armando Subashi ka akuzuar drejtorinë juridike në kryeministri duke thënë që leja për të paguar para për tokën arrë me ka ardhur me vendim qeverie. Gjë të cilën ose duhet të përballet Subashi, sepse ai vetë vjen nga sistemi i drejtësisë dhe e di që në rast se konstatohet një shkelje e paligjshme, edhe sikur ta detyrojë kryeministri apo kushdo tjetër ai nuk mund të zbatojë një vendim të paligjshëm.”- tha Kryemadhi.