Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: SPAK kërkoi masë arresti për Subashin por u frenua, drejtësia nuk duhet të veprojë me regji


Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar për aksionin e SPAK-ut lidhur me arrestimet për aferën e inceneratorëve.

Kryemadhi thekson se drejtësia nuk duhet të veprojë me regji dhe favorizime klienteliste.

Deputetja e PL-së thotë se SPAK se para disa muajsh ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi por është frenuar.

Deformime të njëjta ndodhin edhe për të shpëtuar Erion Veliajn.

“Përshëndes veprimet e sotme për inceneratorët. Treguan se faktet që kam bërë publike janë të pamohueshme.

Por, drejtësia nuk duhet të veprojë me regji dhe favorizime klienteliste!

Burime të besueshme tregojnë se para pak muajsh SPAK ka kërkuar masë arresti për Armando Subashin dhe është frenuar. I njejti deformim po ndodh për hetimet e inceneratorit të Tiranës, për të shpëtuar Erion Veliajn dhe kokat e vërteta të aferës së inceneratorëve.

SPAK duhet të godasë në shenjë për inceneratorët, mos të drejtohet sipas sulmeve që vijnë nga kongresi i partisë.

Po monitorojmë çdo veprim të autoriteteve për inceneratorët dhe do të bëjmë çdo gjë që të korruptuarit e qeverisë të njohin ligjin, ndërsa paratë dhe pronat publike t’i kthehen shqiptarëve”-shkruan Kryemadhi.