Miliarderi Jeff Bezos ka paralajmëruar amerikanët të përgatiten për recesion dhe të frenohen sidomos në blerjen e artikujve me kosto të mëdha, si televizorë dhe makina. Kjo pasi ai parashikon se ekonomia amerikane mund të jetë në tkurrje deri në vitin 2023.
Themeluesi i Amazon tha se amerikanët mund të përgatiten duke i ruajtur paratë e tyre “për ditë të vështira“.
Duke folur për CNN Business, sipërmarrësi tha se njerëzit duhet të ndalojnë blerjet e mëdha dhe të mbajnë pak “rezerva” për të ardhmen.
Ai shtoi se nuk mund të parashikonte se sa do të zgjaste rënia ekonomike, por tha se SHBA ka të ngjarë të ishte në një rënie ‘shumë shpejt‘ nëse nuk është ende në një rënie.
Të dhënat e reja këtë javë tregojnë se borxhi i familjeve u rrit në 16.51 trilion dollarë tremujorin e kaluar, duke u rritur me ritmin më të shpejtë që nga viti 2008.
Megjithëse inflacioni vjetor ra muajin e kaluar në 7.7 përqind, niveli i tij më i ulët që nga janari, shumë ekonomistë besojnë se një recesion i mprehtë i shënuar nga humbje të mëdha të vendeve të punës mund të jetë i pashmangshëm brenda vitit të ardhshëm.
Pushimet nga puna mund të jenë veçanërisht të vështira për familjet që kanë shpenzuar kursimet e tyre për të vazhduar me rritjen e çmimit të sendeve ushqimore, benzinës dhe shërbimeve.
Të dhënat e Departamentit të Tregtisë tregojnë se bilancet e kursimeve personale, të cilat u rritën gjatë bllokimeve pandemike pasi njerëzit ishin të mbyllur në shtëpi, tani janë zhytur në rreth gjysmën e nivelit të arritur para pandemisë.