Vendosni fjalën kyçe....

“Për t’i rikthyer Amerikës lavdinë” – Trump shpall kandidaturën për zgjedhjet presidenciale 2024


Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për garën presidenciale të vitit 2024, duke thënë se presidenti Joe Biden ka ‘turpëruar, poshtëruar e dobësuar’ Shtetet e Bashkuara. Ai u zotua se do i sjellë ‘lavdi e madhështi’ vendit.

Duke folur para një turme mbështetësish në resortin e tij Mar-a-Lago, Florida të martën në mbrëmje, Trump përshkroi listën e problemeve me të cilat përballen qytetarët dhe kombi në përgjithësi, duke pretenduar se Biden dhe Partia Demokratike ishin përgjegjës për ‘rënien e Amerikës’ pas dy vitesh në pushtet.

“Për ta bërë Amerikën përsëri të madhe dhe të lavdishme, sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara.” – tha Trump, duke nxitur brohoritjen e mbështetësve.

“Unë do siguroj që Joe Biden të mos jetë në pushtet për katër vjet të tjera.”

“Së bashku do përballemi me forcat më të korruptuara dhe interesat më të ngulitura thellë që mund të imagjinohen. Vendi ynë është në një gjendje të tmerrshme, jemi në telashe të mëdha. Kjo nuk është detyrë për një politikan apo kandidat tradicional. Kjo është detyrë për një lëvizje të madhe që mishëron guximin, besimin dhe shpirtin e popullit amerikan.”

Njoftimi pasoi një deklaratë të mëparshme nga Trump javën e kaluar se ai kishte lajme ‘të mëdha’ për të ndarë në ditët në vijim, duke nxitur spekulime se do shpallte një tjetër kandidim presidencial. Ai paraqiti dokumentet në Komisionin Federal të Zgjedhjeve të martën në mbrëmje për të regjistruar zyrtarisht kandidaturën e tij dhe krijoi një komitet të ri të fushatës.

Trump, i cili ishte president nga viti 2016 deri në vitin 2020, nisi sulme të ashpra ndaj demokratëve, duke thënë se ata e kanë bërë SHBA-në një ‘komb të dështuar’ dhe se dy vjet nën administratën Biden kanë qenë një ‘kohë dhimbjeje, vështirësie, ankthi e dëshpërimi për miliona amerikanë.

“Shtetet e Bashkuara janë turpëruar, poshtëruar dhe dobësuar duke u parë nga të gjithë në këtë gjendje.” vazhdoi ai, duke përmendur ‘fatkeqësinë në Afganistan’, inflacionin rekord të lartë dhe çmimet e larta të karburantit.

Ai vazhdoi të argumentonte se Biden ‘po na çon në prag të luftës bërthamore’ me Rusinë, duke pretenduar se konflikti në Ukrainë ‘nuk do të kishte ndodhur kurrë po të isha presidenti juaj’.

Trump i parapriu njoftimit të së martës me sulme ndaj rivalëve të mundshëm republikanë për primaret, duke lëshuar deklarata të veçanta kundër Guvernatorit të Floridës Ron DeSantis, i cili është shumë i popullarizuar në mesin e konservatorëve për politikat e tij më pak autoritare Covid-19 si dhe guvernatorit të Virxhinias Glenn Youngkin.

Sipas sondazheve të fundit, DeSantis, i cili vjen pas fitores dërrmuese në zgjedhjet afatmesme të para pak ditëve, është ndër kandidatët e prefeuar mes republikanëve.