Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Polonisë: Sulmi me raketa besohet se ishte i paqëllimshëm nga forcat ukrainase


Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha të mërkurën se nuk ka asnjë indikacion që shpërthimi i së martës në Poloni, që vrau dy persona, të ketë qenë “sulm i qëllimshëm”, duke shtuar se më shumë gjasa ka që të ketë qenë vetëm një fatkeqësi.

Ai shtoi se besohet që raketa e cila goditi një fshat kufitar në Poloni ishte e mbrojtjes ajrore ukrainase, por gjithashtu tha se përgjegjësia përfundimtare i takon Rusisë, që nisi një varg sulmesh me raketa drejt Ukrainës të martën.

“Absolutisht asgjë nuk jep indikacione që ky ishte një sulm i qëllimshëm mbi Poloninë… Ka shumë gjasa që ishte një raketë e përdorur për mbrojtje, që do të thotë se po përdorej nga forcat e mbrojtjes të Ukrainës”, tha Duda të mërkurën.

Ministria e Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, në Poloninë lindore, rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite granatimesh masive ruse të Ukrainës.

Ndërkohë, kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, tha se Polonia është ende duke e shqyrtuar mundësinë e aktivizimit të Nenit 4 të NATO-s, por shtoi se duket që një gjë e tillë të mos jetë e nevojshme.