Vendosni fjalën kyçe....

Rama për Portin e Durrësit: Maskaragjozllëqet që thuhen pasqyrojnë mallkimin që na ndjek që nga 1912-ta


Kryeministri Edi Rama ka adresuar përsëri akuzat e opozitës lidhur me projektin për Portin e ri të Durrësit.

Në një postim në “Twitter”, Rama shkruan se gjërat që po thuhen janë “pasqyrë e ligësisë” që sipas tij e ndjek vendin tonë si një “mallkin” që prej vitit 1912.

“Numri i maskaragjozllëqeve që po thuhen për projektin madhor të Portit Turistik të Durrësit, si edhe hapësira e paanë mediatike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912!”- shkruan kryeministri.

Këtë të mërkurë Rama nga një takim me qytetarët e Beratit foli për Portin e ri të Durrësit, ku tha se investimi në këtë port do të ndryshojë komplet pozicionin e klasifikimeve të destinacioneve turistike të mesdheut. Sipas tij, Porti turistik i Durrësit do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe.

“E dyta, shikoni çfarë ndodh këto ditë, me investimin më të madh të huaj, për transformimin e portit të vjetër, ndotës të Durrësit, në një port turistik, që do të jetë një ndër më të mëdhenjtë në mesdhe. Ai port do të jetë një portë e madhe e hapur e një Shqipërië që do të ndryshojë komplet pozicionin e klasifikimeve e destinacioneve turistike të mesdheut, nuk do të jetë aktraktive vetëm për të ardhur te porti, por për të shkuar më thellë dhe për të parë më shumë.”- tha ai.