Vendosni fjalën kyçe....

S’i dha përparësi këmbësorit në vijat e bardha e më pas e goditi, gjobitet e i bllokohet mjeti 46-vjeçares në Tiranë (Video)


Një 46-vjeçare është gjobitur nga Policia Rrugore si dhe i është bllokuar mjeti për mosdhënie përparësie të këmbësorëve.

Rasti i saj iu bë publik në rrjetet sociale ku gruaja shtyn e godet fizikisht burrin që po kalonte në rrugë mbi vijat e bardha.

Sipas policisë, pas shfaqjes së pamjeve, është bërë i mundur identifikimi e kapja e drejtuese së mjetit që është gjobitur me masë administrative si dhe i është sekuestruar makina.

Njoftimi

“Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetase që ka ndaluar automjetin në vija të bardha dhe nuk respekton rregullat e qarkullimit rrugor (mosdhënie përparësie këmbësorëve), ju sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e drejtueses së automjetit që shfaqet në video.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë lokalizuar automjetin dhe kanë shoqëruar drejtuesen e tij, shtetases B. R., 46 vjeçe.

Në vijim të veprimeve u bë bllokimi i automjetit tip “Benz”, ndërsa për drejtuesen e automjetit u vendos masa administrative, në bazë të Kodit Rrugor, për mosdhënie përparësie këmbësorëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.