Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina ndalon dërgesat ruse të naftës në Hungari


Nafta ruse ka ndaluar rrjedhjen në Hungari përmes tubacionit ‘Druzhba’ (Miqësia) që kalon tranzit në Ukrainë, konfirmoi të martën në mbrëmje kompania hungareze e naftës MOL.

Arsyeja zyrtare e dhënë nga pala ukrainase ishte se një sulm ajror rus goditi një stacion transformatori pranë kufirit me Bjellorusinë, që furnizon me energji elektrike një nga stacionet e pompimit. Ukraina ka informuar gjithashtu ‘Transneft’ të Rusisë se shërbimi ishte pezulluar për shkak të ‘mungesës së energjisë elektrike’, sipas Igor Demin, një zëdhënës i gjigantit rus të naftës.

Dërgesat e naftës së papërpunuar në Hungari, Çeki dhe Sllovaki janë ‘ndaluar përkohësisht’, tha MOL në një deklaratë.

“Ne po mbikëqyrim atë që po ndodh dhe së bashku me partnerët ukrainas, po shqyrtojmë kushtet për rifillimin e punës në tubacionin Druzhba.” – shtoi kompania hungareze e naftës.

Sipas MOL, kishte rezerva të mjaftueshme nafte për të siguruar funksionimin e rafinerisë Szahahalombata derisa tubacioni të kthehet në punë. Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thirrur një mbledhje urgjente të këshillit të sigurisë kombëtare, për të diskutuar mbylljen e tubacionit dhe pretendimet se një raketë ruse kishte goditur një fshat në Poloni, sipas zëdhënësit të tij Bertalan Havasi.

Megjithëse BE-ja ndaloi importet e naftës ruse nga deti në qershor, Brukseli krijoi një përjashtim për Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë që të vazhdojnë të blejnë naftë nga Moska nëpërmjet tubacionit ‘Druzhba’ të ndërtuar në vitet ’60, që përshkon mbi 4000 kilometra nga Tatarstani në Hungari, Gjermaninë lindore, Çeki e Sllovaki. Rreth 1,490 km tubacion kalon nëpër territorin e Ukrainës.