Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka denoncuar punimet për Aeroportin e Vlorës që sipas tij po kryhen pa leje ndërtimi.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PL-së, Blushi tha se miratimi i lejes së ndërtimit është bërë vetëm më 9 nëntor të këtij viti, edhe pse kryeministri Edi Rama inauguroi nisjen e punimeve që më 28 nëntor të vitit të kaluar.
“Një vit pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, zbulohet se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar vetëm në mbledhjen e datës 9 nëntor 2022, dhënien e lejes së ndërtimit.
Pra nga data 28 nëntor 2021, kur Edi Rama inaguroi nisjen e punimeve, dhe derimë tani rezulton e provuar se projekti në terren ka avancuar në shkelje flagrante të ligjit.
Skandali shumë i rëndë, provon hapur se për këtë rast, si edhe në shumë çështje të tjera të denoncuara më herët, shteti dhe prokuroria janë vënë plotësisht në shërbim të ‘Rilindjes’ duke mbyllur sytë, pranuar dhe mos reaguar për nisjen e punimeve të Aeroportit të Vlorës në mungesë të lejes së ndërtimit, sikundër është vepruar edhe me katet, pallatet dhe kullat pa leje në zemër të Tiranës.”– tha Blushi.
Ai i ka bërë thirrje SPAK-ut të reagojë urgjentisht për rastin dhe të nisë menjëherë hetimet për çdo zyrtar, nga kryeministri Rama dhe deri tek inspektori më i thjeshtë i IKMT-së.
DENONCIMI I PLOTË
Edi Rama është kapur në flagrancë në një tjetër akt shumë të rëndë paligjshmërie.
Një vit pas nisjes së punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, zbulohet se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar vetëm në mbledhjen e datës 9 nëntor 2022, dhënien e lejes së ndërtimit.
Pra nga data 28 nëntor 2021, kur Edi Rama inaguroi nisjen e punimeve, dhe derimë tani rezulton e provuar se projekti në terren ka avancuar në shkelje flagrante të ligjit.
Skandali shumë i rëndë, provon hapur se për këtë rast, si edhe në shumë çështje të tjera të denoncuara më herët, shteti dhe prokuroria janë vënë plotësisht në shërbim të “Rilindjes” duke mbyllur sytë, pranuar dhe mos reaguar për nisjen e punimeve të Aeroportit të Vlorës në mungesë të lejes së ndërtimit, sikundër është vepruar edhe me katet, pallatet dhe kullat pa leje në zemër të Tiranës.
Ndërkohë që Edi Rama arreston 82-vjeçaren në Vlorë për ndërtimin e një koteci pa leje, dënon me kërkesë të tij artistët Bojken Lako dhe Mimoza Ahmeti për riparime banese, dhe ndëshkon pa mëshirë me burgim dhe gjoba qindra qytetarë të tjerë në hall për riparime çatie dhe dritaresh, konsumon me ndërgjegje të plotë, së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës, duke nisur nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, një vepër penale të dënueshme ligjshërisht.
I bëjmë thirrje SPAK të reagojë urgjentisht për rastin dhe të nisë menjëherë hetimet për çdo zyrtar shtetëror, nga Edi Rama dhe deri tek inspektori më i thjeshtë i IKMT, që ka urdhëruar, nxitur dhe mbrojtur nisjen e punimeve për ndërtimin pa leje të Aeroportit të Vlorës.