Vendosni fjalën kyçe....

Kthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës: E bëmë për të penguar Kurtin të ndryshojë Kushtetutën


Nëntë deputetë të rinj të Listës Serbe u betuan sot në Kuvendin e Kosovës, duke zëvendësuar kolegët e tyre në parti që dhanë dorëheqje.

Pasi u betuan nuk qëndruan më në sallën e Kuvendit – u larguan nga salla.

Lista serbe tani ka dalë me një komunikim duke thënë se deputetët e rinj u betuan për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.

Në sqarimin e tyre, Lista Serbe ka theksuar se “vendimi i sotëm strategjik ka penguar drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë”.

Më tej thuhet se synimi i Kurtit dhe i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviçit ishte të votonin ndryshimet kushtetuese.

“Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviçit, por edhe të tjerëve si ajo, ishte të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj.”– thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Ky vendim sipas partisë serbe në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri, si kundërpërgjigje ndaj shkeljes së marrëveshjes së Brukselit.