Ish-zëvendëspresidenti Mike Pence tha se republikanët ‘kanë zgjedhje më të mira’ për president në zgjedhjet e vitit 2024 sesa ish-presidenti Donald Trump.
Pence theksoi në një intervistë për Fox News, se votuesit republikanë dëshirojnë një kthim në politikat e administratës Trump, por duan të shmangin qasjen përçarëse të tij ndaj Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa Pence tha se Trump ishte i vetmi kandidat që mund të mundte Hillary Clinton në 2016, ai shtoi se ‘kohë të ndryshme kërkojnë lidership të ndryshëm’.
“Unë sinqerisht besoj se do të kemi zgjedhje më të mira. Dëgjoj njerëz që thonë se do donin që ne të ecnim përpara me një udhëheqje që do bashkojë vendin rreth idealeve tona më të larta dhe do të pasqyrojë llojin e respektit dhe civilizimit që populli amerikan i tregon njëri-tjetrit çdo ditë.” – tha Pence.
Komentet e Pence vijnë teksa ish-presidenti Donald Trump shpalli kandidaturën për zgjedhjet e vitit 2024 në një fjalim në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida dy ditë më parë.
Ish-zëvendëspresidenti tha se është krenar që republikanët morën përsëri Kongresin në zgjedhjet afatmesme.
Donald Trump, në kohën kur ishte president, kritikoi Pence për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve 2020, duke postuar në Twitter më 6 janar 2021 se zëvendëspresidenti ‘nuk kishte guximin të bënte atë që duhej bërë’.
Pence tha të martën se ai i qëndroi gjithmonë besnik Donald Trump-it si zëvendëspresident por deklarata e Trump më 6 janar e ndryshoi marrëdhënien mes tyre.
“Në atë çast, kur ai postim u shfaq në Twitter, u zemërova.” – tha Pence.