Vendosni fjalën kyçe....

Polonia do naftë ruse pavarësisht embargos së BE-së – Media


Polonia planifikon të vazhdojë të blejë naftë ruse në vitin 2023 përmes tubacionit ‘Druzhba’ (Miqësia), pavarësisht premtimeve nga autoritetet e vendit për të braktisur importet nga vendi i sanksionuar, raportoi të mërkurën e përditshmja Kommersant.

Përpunuese e shitësi më i madh i naftës në Poloni, ‘Orlen’ i ka dërguar një ofertë kompanisë ruse të transportit të naftës dhe gazit Transneft për të marrë tre milionë tonë naftë përmes tubacionit ‘Druzhba’ në vitin 2023, raportoi gazeta, duke cituar një burim në industrinë polake të naftës.

Transneft ka konfirmuar porosinë pa specifikuar se nga cilat kompani ka ardhur dhe vëllimet e kërkuara prej saj.

Më 5 dhjetor, hyn në fuqi një embargo e BE-së ndaj naftës bruto ruse dhe produkteve të naftës. Edhe pse nuk do zbatohet për dërgesat përmes tubacionit ‘Druzhba’, Gjermania dhe Polonia, të cilat marrin naftë përmes degës veriore të tubacionit, kanë njoftuar zyrtarisht se do heqin dorë vullnetarisht nga nafta ruse që nga fillimi i vitit 2023.

Kommersant ka theksuar se kompania polake e naftës ka kontrata aktive afatgjata me Transneft dhe vuri në dukje se ministri i Jashtëm Zbignieë Rau kishte thënë më 14 nëntor se ‘Orlen’ rrezikon të paguajë një gjobë në rast të një tërheqjeje të njëanshme nga marrëveshja.

Për momentin, ‘Orlen’ ka ndaluar blerjen e naftës ruse në tregun spot, por vazhdon ta marrë atë sipas kontratave afatgjata me Tatneft (2.4 milion ton në vit deri në 2024) dhe Rosneft (3.6 milion ton në vit), raporton media. Kontrata me Rosneft u rinovua për dy vjet në mars 2021 dhe, me sa duket, do vazhdojë të jetë e vlefshme në janar dhe shkurt 2023.

Duke komentuar këtë çështje, zv.presidenti i Transneft Sergey Andronov tha se përveç ofertave nga klientët e kompanisë, të cilët përdorin pjesën jugore të gazsjellësit Druzhba, ka ‘oferta nga konsumatorët polakë për dërgesa përmes Bjellorusisë në vitin 2023’.

Andronov shtoi se ai shpresonte që blerësit gjermanë të naftës së papërpunuar ruse do ishin ‘po aq të arsyeshëm për sigurimin e furnizimeve të qëndrueshme të naftës’ nga Rusia.

‘Druzhba’ është një nga rrjetet më të gjata të tubacioneve në botë dhe transporton naftën bruto rreth 4,000 kilometra nga pjesa lindore e Rusisë evropiane në rafineritë në Republikën Çeke, Gjermani, Hungari, Poloni dhe Sllovaki.