Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Divjakës sërish në protestë kundër vendosjes së traut në park


Banorët e Divjakës kanë dalë sot përsëri të protestojnë kundër vendosjes së një trau që të çon në zonën e parkut të Karavastasë dhe vendosjes së një tarife për të kaluar.

“Edhe ajrin që na ka dhënë i madhi Zot, po na e japin me lekë!”- është shprehur i nervozuar një protestues.

“Nuk kemi protestuar deri më sot. Këtë herë do protestojmë sepse bllokimi i kësaj rruge na vë një etiketë të keqe. Ose ne t’i vëmë kallashnikovin kujtdo që kalon aty dhe të marrim paratë. Ky është objektivi i qeverisë?”- thotë njëri prej protestuesve për News 24.

Protestuesit mbajnë pankarta të ndryshme në duar dhe shprehen të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre.

“Ai park i mban të gjallë, me oksigjen. I vetmi tra i ligjshëm është ai që ndan kufijtë, por jo një rrugë nacionale. Çdo qytetar i Divjakës, dhe çdo turist e ka të drejtë që do të shkojë drejt plazhit. Mënyra e vendosjes së traut është simbol i arrogancës, i mungesës së lirisë. Qëllimi i vetëm i kësaj qeverie është punësimi i disa patronazhistëve. Bizneset paguajnë taksa, por do të preken nga vendosja e këtij trau.”- tha kreu i PD-së për Divjakën, Eduard Sharka.

Sot banorët po marshojnë në drejtim të parkut ku dhe është vendosur trau.

 

 

Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi i pranishëm në protestë, e cilësoi vendimin e qeverisë për vendosjen e traut si çmenduri të radhës.

“Realisht kjo protestë nuk ka një fillim dhe një fund. Derisa të përfundojë çmenduria e ministrisë atëherë do të përfundojë edhe kjo protestë. Të hysh në një plazh publik nuk ka logjikë të ndodhë në asnjë vend të botës. Edhe pse i kanë marrë gjithë kohën taksën bashkia tani po e merr qeveria. Veç çmendurive që ndodhin çdo ditë në këtë vend. Të gjithë duhet të ishin sot këtu. Kjo kauzë nuk ka ngjyrim politik.

Shumë nga këta banorët që janë protestë kanë votuar majtas. Kjo e dëmton shumë Divjakën. Të gjithë fukarenjtë këtu vijnë. Nuk shkojnë dot në Palasë dhe Dhërmi. Vijnë të gjithë ata të shkretët që të sjellin fëmijët të paktën dy ditë që fëmijët të thonë me shokët e shkollës që edhe unë isha në plazh. Unë mendoj se do të ketë protesta të vazhdueshme. Ata do ta vënë natën, ne do ta heqim ditën.”– thotë Saimir Korreshi.

Deputetja tjetër e Partisë Demokratike, Ilda Dhori i dha një mesazh nga protesta ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Dhori tha se ministrja duhet të hiqte dorë nga vendimi për vendosjen e traut që të çon drejt parkut të Divjakës, e njëjta rrugë që të çon edhe në plazh.

“Jemi pro për këtë kauzë, kundër bllokimit të hyrjes në park dhe kundër hyrjes në plazhin e Divjakës. Është kauzë jo vetëm për Divjakën, por edhe për gjithë shqiptarët.

Kjo është protestë pa ngjyrime politike, por për të gjithë shqiptarët. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ministren, por kur doja ta ngrija këtë kauzë në Kuvend, ministrja kishte ikur.

S’ka asnjë koment apo argument për këtë shkelje, arbitraritet që po i bëhet këtyre njerëzve, të punës dhe që shohin vendin e tyre. Po i shkelet dinjiteti. Nuk flitet për tarifën, pasi nuk do të ketë as të ulët as të lartë, këtë ta dijë mirë zonja Kumbaro. Ne flasim për dinjitetin e qytetarëve, të cilët do të lëvizin lirisht në parkun e tyre.”- tha Dhori.

Një ditë më parë pati përplasje mes banorëve të zonës dhe policisë.

Pas protestës së djeshme, Ministria e Turizmit sqaroi se bileta do të kushtojë 50 lekë dhe do të jetë vetëm për turistët dhe jo për banorët e zonës. Sipas ministrisë Mjedisit vendosja e traut do të ofrojë aksesin e kontrolluar në park, përveç sigurimit të të ardhurave që do të ndihmojnë në menaxhimin efektiv e të qëndrueshëm.