Vendosni fjalën kyçe....

Dhunuan ish-shefin e komisariatit në Dibër, vihen nën hetim dy persona


Dy persona janë vënë nën hetim nga policia pasi akuzohen se kanë dhunuar ish-shefin e Komisariatit në Dibër, Robert Aga.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë, pak para se të zhvillohej seanca e radhës për të pandehurit e dosjes 184, të cilët akuzohen për tjetërsim të votës në zgjedhjet e pjesshme lokale në Bashkinë Dibër në vitin 2016.

Sipas policisë, janë proceduar në gjendje të lirë B.A., 30 vjeç dhe R.M., 40 vjeç, të dy banues në Dibër.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’,  për  shtetasit B.A., 30 vjeç; R.M., 40 vjeç, banues në Dibër.

Këta shtetas me datë 17.11.2022, rreth orës 12.⁰⁰,  në qytetin e Peshkopisë , për motive të dobëta kanë goditur me grusht shtetasin R.A., 59 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Mbrëmjen e kaluar, u zbulua se Robert Aga dhe Hasan Hoti, ish-administratori i Njësisë Lurë, kishin qenë një lokal në afërsi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, në pritje të fillimit të seancës gjyqësore të radhës. Sapo kanë lënë lokalin tre persona e kanë sulmuar me grushte, shkelma dhe mjete rrethanore ish-shefin e Komisariatit. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës.