Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zv.komandanti i Forcës Detare nxjerr fotot: 3 anije greke për 2 orë në brendësi të ujërave shqiptare


Ish-zv. komandanti i Forcave Detare Artur Meçollari ka publikuar sot disa foto, përmes të cilave tregon se tre anije greke kanë hyrë përsëri për dy orë në brendësi të ujërave shqiptare. Ai thotë se i publikon edhe për dijeni të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, nga e cila nuk ka asnjë reagim.

Në postimin e tij në Facebook, Meçollari shprehet se kjo është hera e 11-të që ndodh kjo në zonën e shelfit kontimental të kontestuar (pa delimituar) midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Informacion edhe për MEPJ
Për dy orë tre anijet që merren me studime për hidrokarbure në Detin Jon dhe në Bllokun 1 mund të hynë përsëri, për të 11 herë, në zonën e shelfit kontimental të kontestuar (pa delimituar) midis Shqipërisë dhe Greqisë ose në shelfin kontinental të Shqipërisë.

Anijet, si mjete detare, janë me motor dhe nuk mund të gjenden më sot në pozicionin e mbrëmshëm të orës 20:30.
Për të gjithë ata që duan të ndjekin lundrimin e anijeve në kohë reale, ku burim i informacionit është AIS (Automatic Idintification System) i anijeve mund të shkarkojnë në smartphon-in e tyre programin Marim Radar. Ka dhe disa të tjerë të vlefshëm në internet.”- shkruan Meçollari.

Në fakt Meçollari prej një jave ka denoncuar vazhdimisht se anijet kërkimore greke po kryejnë kërkime për hidrokarbure në Detin Jon.

Sipas tij, ky veprim i ndërmarrë nga pala greke është i njëanshëm dhe duhet të ishte bërë me leje nga Ministrja e Jashtme shqiptare.