Vendosni fjalën kyçe....

“Policia e Çuçit të kujdeset për sigurinë, jo kabinën” – Tensione në protestën e banorëve në Divjakë


Për pak momente ka patur tensione sot në protestën e qytetarëve të Divjakës kundër vendosjes së traut që shoqërohet edhe me vendosjen e një tarife, për të kaluar në rrugën që të çon tek Parku.

Tensionet kanë nisur pasi protestuesit donin të vinin një pankartë në kabinën që do të shërbente si biletari, por kabina është rrethuar menjëherë nga forcat e Policisë të vendosur në kordon.

Protestuesit thyen xhamat e kabinës, akt që u shoqërua me brohoritje dhe duartrokitje.

“Nuk është e nevojshme prania e asnjë trupi policor”- tha deputetja e PD-së Ilda Dhori që ndodhet në protestë.

Ajo theksoi se “Mesazh më të madh se sa prania jonë këtu nuk ka.”

Kreu i PD në Divjakë, Eduart Sharka tha se policia nuk ka qenë kurrë në mbrojtje të qytetarëve të kësaj zone duke theksuar se ata janë kujdesur vetë për zonën.

“Këtë zonë e kanë ruajtur qytetarët e Divjakës. Ne do të jemi të parët. Nuk u themi qytetarëve shkoni ju përpara se ne vijmë mbrapa.”- deklaroi Sharka.

Ai tha se i ka kërkuar ministrit të Brendshëm Bledi Çuçit që efektivët e policisë të udhëzohen që të kujdesen për sigurinë e qytetarëve dhe jo për kabinën.

“Kam disa ditë, që unë komunikoj me Bledi Çuçin në rrjeteve sociale dhe mendoj se mund ta ketë marrë mesazhin. Policia që ai drejton ka qenë që në ditën e parë në mbrojtje të kësaj kabine. Bledi Çuçi një këshillë për vartësit tuaj që të jenë këtu për të ruajtur qytetaren dhe jo për të mbrojtur këtë që ka ardhur nga skrapi dhe atje do e ketë vendi. Do jemi në kontakt me të gjithë banorët dhe qytetarët. Askush këtu nuk ka thirrur askënd. Kemi thirrur njëri tjetrin. Divjaka paska një dinjitet të madh që është për t’u marrë shembull.”- tha deputeti.