Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar se lideri de fakto i Arabisë Saudite, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman ka imunitet nga padija e ngritur nga e fejuara e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi.
Khashoggi, një kritik i shquar saudit, u vra në konsullatën saudite në Stamboll në tetor 2018. Inteligjenca amerikane ka thënë se beson se Princi Mohammed ka urdhëruar vrasjen.
Por në dosjet gjyqësore, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ai ka imunitet për shkak të rolit të tij të ri si kryeministër.
Ish-e fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, shkroi në Twitter se “Jamal vdiq përsëri sot” me këtë vendim.
Ajo së bashku me grupin e të drejtave të njeriut Democracy for the Arab World Now, të themeluar nga Khashoggi, kishte kërkuar dëme të paspecifikuara në SHBA nga princi i kurorës për vrasjen e të fejuarit të saj.
Siç shkruan BBC, padia e saj akuzonte liderin saudit dhe zyrtarët e tij se kishin “rrëmbyer, lidhur, droguar dhe torturuar dhe vrarë gazetarin rezident në SHBA dhe avokatin e demokracisë Jamal Khashoggi”.
Princi Mohammed u emërua princ i kurorës nga babai i tij, Mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vitin 2017. Më pas 37-vjeçarit iu dorëzua roli i kryeministrit në shtator të këtij viti.
Ai mohon çdo rol në vrasjen e Khashoggi.
Avokatët e Departamentit të Drejtësisë thanë se si “kreu i një qeverie të huaj“, princi i kurorës “gëzon imunitetin e kreut të shtetit nga juridiksioni i gjykatave amerikane si rezultat i asaj zyre”.
“Doktrina e imunitetit të kreut të shtetit është e vendosur mirë në të drejtën zakonore ndërkombëtare.” – thanë avokatët e Departamentit të Drejtësisë.
Por administrata Biden thekson se ky vendim nuk ishte një përcaktim i pafajësisë.